Ekspozita /22 projekte të komunizmit, Maks Velo: Arkitekturën sot e udhëheqin politikanët

Nga Valeria Dedaj

Një artist i vërtetë duhet të bëjë atë që i thotë ndërgjegjja. Mos të frenohet nga rreziku, por të punojë që të bëjë më të mirën estetikisht. Këtë ka bërë tërë jetën arkitekti edhe piktori Maks Velo, i cili këto ditë u vlerësua me çmimin “Mjeshtër i arkitekturës” (SHASH). Arkitekti ka çelur edhe një ekspozitë me 22 projekte të periudhës së komunizmit dhe demokracisë në sallën e re të ekspozitave, në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjetikës. Për kamerën e “Report TV” Maks Velo, i cili prej disa vitesh renditet mes 160 arkitektëve më të njohur në botë, në Enciklopedinë Botërore të Arkitekturës, flet për vlerësimin e Shoqatës së Arkitektëve, por edhe punën që ka bërë ndër vite.

“Është një gëzim i madh për mua. Jam shumë i gëzuar për këtë vlerësim, aq më tepër pas një kalvari të mundimshëm me akuza të rënda, që më bënë atëherë, qoftë në konferencën e arkitekturës, në mbledhjen e byrosë edhe në akuzat që u formuluan në hetuesi. Gjatë gjithë kohës kam tentuar të bëj një arkitekturë moderne, brenda mundësive që kishim, por as kjo nuk pranohej,”- tha arkitekti dhe piktori Maks Velo.

Disa nga projekt-idetë, që ka bërë janë godina e ATSH-së, Uzina Mekanike në Peshkopi, ish-kinema “Pioneri”, shkolla “Emin Duraku”, ish-hotel “Arbana” dhe “Vollga”deri tek godina e Kadaresë tek rruga e “Dibrës”

“Dikush ka shkruar se: “Maksi rrëzoi komunizmin”. Nuk është e vërtetë kjo! Unë mundohesha të punoja me ato pak mundësi që kishim ne. Nuk kishte mundësi teknike edhe materiale. Për shembull, tek godina e Kadaresë përdora qeramikë me ngjyra, që i prodhoja tek porcelani. Pastaj më shanin. Nga akuzat në hetuesi donin të më nxirrnin sabotator,”- tha Velo.

Maks Velo, ndonëse i akuzuar dhe i dënuar me burg për tendencat moderne në projektet dhe artin që bënte shprehet se:
Maks Velo, sinkron

“Nuk mendoja për rrezikun apo se çfarë mund të vinte më vonë, por mendoja që të bëja më të mirën, atë që nga ana estetike ishte më lart. Kjo estetik nuk pranohej. Gjithë jetën jam munduar të jem i vërtetë në pikturë edhe në arkitekturë, kudo. Jam munduar të jem vetja ime”.

Arkitekti mendon se ndjenja e shkatërrimit ka zotëruar gjithmonë tek ne. Prandaj  ne akoma nuk kemi parametra estetikë, që të kemi një arkitekturë moderne dhe të thjeshtë.

“Nuk jam për çudira, për shpenzime, por që kur ke mundësi, të bësh diçka me inovitet edhe me frymë evropiane”.

Një nga shqetësimet e mëdha që Velo ka sot është se puna e arkitektëve nuk vlerësohet askund

“Kur unë e bëra atë objekt, atëherë e bëra për Kadarenë. Kujtoj se u bashkuan dy apartamente, por është e rëndësishme që bëhet muze edhe hyrja e Agollit. Ajo që mua më shqetëson është që në tërë Tiranën nuk ke një pllakë të vendosur në një godinë me emrin e arkitektit. Kjo është një praktikë që bëhet në të gjithë botën. Ne i tejkalojmë gjërat. Gjithmonë kam menduar se është një lloj arkitekture e letrave, e letërsisë, çdo gjë me mas. Letërsia ishte ajo që solli leximin edhe pavarësinë. Kemi konkurse për drama, poema dhe romane, s’kemi asnjë konkurs për arkitekturën. Qeveria nuk ka dhënë asnjë çmim për as një njeri, kur kjo është fusha e veprimtarisë më të rëndësishme. E gjithë kjo bëhet, sepse pas është një mafje që lanë paratë e drogës”.

Ndërsa, artisti nuk lë pa shtuar se që prej viteve ’90, politika e zhvlerësoi arkitekturën

“Është problem i madh që politika e vuri në fund arkitekturën, që në vitet ‘90. Arkitektët asokohe konsideroheshin personalitete shoqërore. Për shembull, shefi im Koço Miho ishte arkitekt i Tiranës dhe para këshillave vihej Koço edhe jo këshilli i bashkisë. Politikanët i detyruan arkitektët që të shesin profesionin, sot udhëheqin politikanët. Ata i marrin tërë vendimet. KRT-ja u bë pas i u zhduk Instituti i Urbanistikës në vitin 2010. Me një vendim të këshillit të Ministrave, Berisha anuloi Institutin Urbanistik. Ne s’kemi institut. Qeveria bën ç’të dojë me një KRT-ën. Dalin nuk marrin vesh çfarë bëjnë, sepse vendimet nuk i kanë marrë specialistët”.

Përpos pasojave të rënda në komunizëm dhe në demokraci, Maks Velo, e ka mposhtur frikën. Përsa i përket profesionit si arkitekt ai ka vendosur, që gjithë jetën të thotë atë që mendon.

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen