Pamje të Maliqit dhe Gorës së Pogradecit të fiksuara më shumë se 80 vite më parë janë rikthyer për publikun përmes një ekspozite fotografike.

Fotot, të realizuara gjatë viteve 1940-1941 nga arkeologu dhe studiuesi i kulturës popullore Kristo Petro Mesogjiti, dokumentojnë jetën e përditshme, peizazhet, banesat dhe traditat e banorëve të zonës në periudhën e Luftës Italo-Greke.

Mesogjiti shërbeu si ushtar dhe përkthyes në frontin greko-italian dhe, gjatë qëndrimit në Maliq, krijoi një arkiv me vlera të veçanta historike dhe etnografike, një pjesë e të cilit prezantohet për herë të parë në këtë ekspozitë.

“Me këtë aparat fotografik, përveç fotografive me karakter ushtarak, ai ka fiksuar pamje nga të gjitha zonat, nga fshatrat e Maliqit, Pogradecit dhe kryesisht në Maliq, ku ishte komanda e trupave greke. Kishte bërë shumë fotografi, por për shkak të kushteve të luftës një pjesë humbën. Në këtë ekspozitë janë rreth 60-70 fotografi, të shoqëruara edhe me materiale nga ditari i tij.”, tha Petro Filipu, studiues, ish-kryebashkiak i Saronikos, i cili kishte ardhur nga Greqia për ekspozitën.

Përveç fondit fotografik, ekspozita përfshin edhe pjesë nga ditari i autorit, ku përshkruhen zakonet, traditat dhe mënyra e jetesës së shqiptarëve të asaj kohe.

“Kristo Petro Mesogjiti shkruan se populli shqiptar është një popull shumë i vuajtur, por shumë punëtor dhe i zgjuar. Nëse do t'i jepet mundësia, ai do të përparojë jashtëzakonisht. Këto janë vlerësime që ai i ka lënë në ditarin e tij gjatë viteve 1940-1941.”, vijoi Filipu.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun deri më 9 gusht në hollin e Qendrës Kulturore Komunitare “Dhimitër Orgocka” në Maliq, duke u dhënë vizitorëve mundësinë të njohin historinë e Maliqit përmes një fondi të rrallë fotografik.