Vlorë - 12 artistë, piktorë, karikaturistë, skulptorë dhe qeramistë sollën për publikun vepra të ndryshme artistike, të ekspozuara në një hapësirë që u kthye në pikë takimi për artdashësit vlonjatë në fundjavë.

Të shumtë ishin vizitorët, mes tyre dhe figura të njohura të artit dhe letërsisë, si shkrimtarja Helena Kadare.

Sipas organizatorit, arkitektit Arben Meksi, kjo ekspozitë bashkon vepra arti, mendim dhe ndjeshmëri.

“Kur sheh këtë ekspozitë, ku janë të pranishme piktura, karikatura, qeramika dhe skulptura, kupton sa të bukura dhe të rëndësishme janë ekspozitat në grup. Edhe pse mjetet digjitale po e ‘sulmojnë’ artin e bërë me dorë, ky art nuk vdes kurrë, sepse është i krijuar nga dora dhe shpirti i njeriut. Për artin tonë dhe për kulturën vlonjate, kjo ekspozitë ka vlera shumë të mëdha”, tha Arben Meksi.

Në mbështetje të kësaj veprimtarie artistike ishte edhe kryetarja e Bashkisë së Vlorës, Brunilda Mersini, e cila vlerësoi rolin e artit në jetën kulturore të qytetit.

“Vlora është djepi i artit dhe ne kemi nevojë për këtë art. Ju u jepni emocione qytetarëve të Vlorës përmes artit të bërë me dorë”, tha Mersini.

Ekspozita e Grupit “Muri” mbetet një dëshmi e gjallë e dialogut artistik dhe e energjisë krijuese që pasuroi jetën kulturore të qytetit të Vlorës.