Ekstradimi i Haxhisë/Skenari për
hapjen e dosjes së Azem Hajdarit

Ekstradimi i Haxhisë/Skenari për<br />hapjen e dosjes së Azem Hajdarit<br>
Ekstradimi i ish-truprojës së Sali Berishës, Izet Haxhia në Shqipëri, krijon mundësitë për rihapjen e dosjes së vrasjes së Azem Hajdarit, e konsideruar edhe si vrasja e shekullit. Në bazë të ligjeve të ndryshuara vitin e kaluar, në kuadër të drejtësisë së re, Izet Haxhia, brenda 30 ditëve nga ekstradimi në Shqipëri, mund të kërkojë rishikimin e vendimin për dënimin e tij si dhe rihapjen e çështjes.

Izet Haxhia favorizohet nga katër rrethana: Gjykimi në mungesë, kushtet e ekstradimit, ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale si dhe refuzimi i ish-kryeministrit Sali Berisha për të dëshmuar para drejtësisë për këtë çështje.

Nga ana tjetër, në të gjitha reagimet për Shqiptarja.com dhe Report Tv, Izet Haxhia ka shprehur vullnetin për hapjen e dosjes së Azem Hajdarit nga një drejtësi e pavarur dhe ballafaqimin në një sallë gjyqi me Sali Berishën, të cilin e akuzuan se nxori në pritë Azem Hajdarin, për shkak se ky i fundit i rrezikonte karrigen në krye të Partisë Demokratike.

“Është e drejta e ime të kërkoj rigjykim, pasi jam dënuar në mungesë. Është dhënë garanci edhe nga qeveria Berisha, që çështja do të gjykohet nga një mënyrë e drejtë. Do të kërkoj hapjen e kësaj çështje”, tha Haxhia në reagimin e fundit, pasi autoritetet turke miratuan ekstradimin e tij në Shqipëri.

Baza ligjore dhe rrethanat
Avokatë penalistë sqaruan me Shqiptarja.com se rigjykimi i Izet Haxhisë dhe hapja e dosjeve është pikësëpari e mundur, pasi një gjë e tillë parashikohet në kushtet e ekstradimit, ku kërkohet që të dënuarit t’i garantohet në proces i drejtë dhe i paanshëm.

Ndërkaq, pika ‘dh’ i nenit 450 të Kodit të Procedurës Penale parashikon që vendimi rishikohet kur ekstradimi i të dënuarit të gjykuar në mungesë jepet me kushtin e shprehur të rigjykimit të çështjes. Në këtë rast, kërkesa për rishikim mund të paraqitet brenda tridhjetë ditëve nga data kur personi është ekstraduar.

Sipas Kodit, kërkesa e paraqitur brenda afatit nuk mund të refuzohet. Mbeten për t’u parë kushtet e ekstradimit të Izet Haxhisë. Po ashtu, një vendim i formës së prerë mund të rishikohet kur shkaku për rishikimin e vendimit të formës së prerë rezulton nga një vendim i Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut që e bën të domosdoshëm rigjykimin e çështjes.

Mundësia e dytë
Edhe nëse rigjykimi nuk parashikohet në kushtet e ekstradimit, Izet Haxhia ka një tjetër mundësi për të kërkuar rigjykim, për rivlerësimin e pronave dhe për të kërkuar përballjen me Sali Berishën. Pika ‘e’ nenit 450 të Kodit të Procedurës Penale parashikon që një vendim rishikohet kur personi është gjykuar në mungesë sipas nenit 352 të këtij Kodi dhe kërkon rigjykimin e çështjes. Në këtë rast, kërkesa për rigjykim paraqitet brenda tridhjetë ditëve nga data e marrjes dijeni. Kërkesa e paraqitur brenda afatit nuk mund të refuzohet nga organet e drejtësisë. 

Ndërkaq, pika 5 e nenit 352 të Kodit të Procedurës Penale parashikon që kur i pandehuri paraqitet pasi shqyrtimi gjyqësor është deklaruar i mbyllur, ai mund të kërkojë të pyetet. Ligji parashikon që mbeten të vlefshme veprimet e kryera më parë, por kur i pandehuri e kërkon dhe gjykata e çmon të nevojshme për marrjen e vendimit, mund të vendosë riçeljen e shqyrtimit gjyqësor dhe marrjen e provave të kërkuara nga i pandehuri ose përsëritjen e veprimeve procedurale.

d.c./shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Aksidentohet djali i Brad Pitt dhe Angelina Jolie, pëson dëmtime në kokë

Aksidentohet djali i Brad Pitt dhe Angelina Jolie, pëson dëmtime në kokë