Vrasësi i dyfishtë shqiptar me një këmbë, Saliman Barçi është ekstraduar në Shqipëri nga Britania e Madhe. Kështu shkruan prestigjiozja britanike, “Daily Mail”, në një artikull të gjatë për shqiptarin e shumëkërkuar i cili mbante identitet të ndryshuar si shtetas nga Kosova. 
 
Sipas medias britanike, Barçi është ekstraduar në vendin tonë javën e shkuar, ndonëse autoritetet shqiptare nuk e kanë bërë publike një gjë të tillë.
 
Barçi ishte dënuar nga drejtësia shqiptare me 25 vite burg për vrasjen e dy shokëve të tij në Burrel, Përparim Ibrahimin dhe Artur Gjokën, pas një grabitje në bankë ku u vodhën 60 milionë lekë.
 
“Pas një beteje 2-vjeçare për të shmangur ekstradimin, është kthyer në Shqipëri vrasësi shqiptar me një këmbë”, shkruan Daily Mail.
 
Ekstradimi i vrasësit me një këmbë ka ardhur pas një beteje 2-vjeçare të drejtësisë britanike, pasi Barçi pretendonte se i rrezikohej jeta për shkak të hakmarrjes nëse dërgohej në Shqipëri për të vuajtur dënimin. 
 
Barçi vrau dy shokët e tij në 1997
Barçi kreu një grabitje me vlerë 60 milion lekë në vitin 1997, së bashku me 2 persona të tjerë, Përparim Ibrahimi dhe Artur Gjoka. Gjatë kohës që grabitësit po largoheshin me një automjet, Saliman Barçi qëllon me armë dy shokët e tij, duke i lënë të vdekur në vend.

Ai zhduket menjëherë pas krimit, pavarësisht shpalljes në kërkim nga autoritetet dhe dënimin e tij me 25 vite burg për krimin e rëndë. Gjykata për Krimet e Rënda dha dënimin për Barçin në vitin 2009.
 
Në 2002 mbërrin në Britani si shtetas nga Kosova
Saliman Barçi mbërriti në Britaninë e Madhe me bashkëshorten e tij në vitin 2002.
 
Ai pretendoi se ishte refugjat nga Kosova dhe për këtë shkak autoritetet britanike e pajisën me dokumente.
 
Barçi u fsheh për rreth 18 vite, ndërsa tashmë do t’i duhet të vuajë dënimin në burgjet shqiptare për krimin e rëndë të para 20 viteve në qytetin e Burrelit. 

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com