TIRANË- Interpol Tirana ka kryer ekstradimin nga Finlanda të një shqiptari, i denuar me 8 vjet burg nga Gjykata e Shkodrës pasi ka aksidentuar për vdekje dy fëmijë në vitin 1999.

Sipas burimeve policore, ekstradimi i Edmond Ulajt 37 vjeç nga Shkodra, u kry rreth orës 20:00. Ai është denuar me 8 vjet burg nga Gjykata e Shkodrës për veprën penale të  “shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor dhe largimit nga vendi i aksidentit”

Sipas dosjes në ngarkim të Ulajt, në vitin 1999, si pasojë e një parakalimi të gabuar i denuari ka aksidentuar 2 fëmijë, të cilet ndodheshin në anën e rrugës duke ngarë biçikletat e tyre. Fëmijët kanë vdekur në vend ndërsa Ulaj është larguar nga vendi.

Sipas policisë, arrestimi erdhi si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Helsinkin, vend ku 37-vjeçari i fshihej drejtësisë shqiptare.

Në aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas, ky 37-vjeçari, i është dorëzuar përfaqësuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

Redaksia online
(esh/shqiptarja.com)