TIRANE - Një 31 vjeçar shqiptar i shpallur në kërkim ndërkombëtar për akuzën e vrasjes në tentativë është ekstraduar ditën e sotme nga Italia për në Shqipëri. Sipas policisë, është bërë i mundur ekstradimi nga Milano drejt vendit tonë, i Tristan Pecit  lindur e banues në Elbasan.

Peci ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Elbasanit, ka vendosur ndaj tij më 7 Nëntor 2005 masën e sigurisë “Arrest në burg”, për kryerjen e veprës penale të “Vrasjes së mbetur në tentativë e kryer në bashkëpunim”. Ndërkohë më pas me një vendim të datës 11 Dhjetor 2006, Gjykata e këtij rrethi e ka dënuar këtë shtetas me 15 vjet e 6 muaj burg.

Përmbledhje e ngjarjes së ndodhur
Më datën 24.08.2005, rreth orës 10:00 shtetasi Tristan Peci dhe shtetasi K. P. kanë qenë duke udhëtuar me makinën tip “Toyota”, dhe kanë mbërritur në afërsi të shkollës së mesme “Ahmet Dakli”.

Aty kanë parë shtetasin H. T, duke ecur në bulevard, kanë ndaluar makinën dhe kanë zbritur nga makina kanë qëlluar në drejtim të tij me armë zjarri.

Tristan Peci ka qëlluar me pistoletë ndërsa K.P me automatik dhe më pas janë larguar me shpejtësi , kanë parkuar makinën tek shtëpia e shtetasit L.T., dhe janë larguar në drejtim të paditur.

Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Romën, u bë i mundur arrestimi i tij në Itali, duke u finalizuar me ekstradimin e tij drejt vendit tonë.

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)