TIRANE – Interpol Tirana kreu sot ekstradimin nga Italia drejt vendit tonë të shtetasit shqiptar Luan Kran Kola, 39 vjeç, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar.

I lindur në Mirditë, Kola është dënuar nga Gjykata e Apelit Tiranë në vitin 2005 me 5 vjet burg për veprën penale të trafikimit dhe shfrytëzimit të prostitucionit të mbetur në tentativë.

Gjatë viteve 2000 - 2001, në Kurbin, ai ka mashtruar një shtetase të cilën më pas e ka detyruar të ushtrojë prostitucion në rrugët e Italisë për qëllime fitimi, thuhet në një njoftim për shtyp të Ministrisë së Brendshme.

Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Romën, më datë 15.07.2007, në Itali, u bë i mundur arrestimi i këtij shtetasi, me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë.

Në aeroportin “Nënë Tereza”, në Rinas, Kola i është dorëzuar përfaqësuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

(im/shqiptarja.com)