Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit
TIRANE 4 Korrik/ATSH/- Nga Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana, sot, u krye ekstradimi nga Milano, Itali drejt vendit tonë, i shtetasit Elton Xhemal Koxherri, vjeç 29, lindur banues në Krastë, Bulqizë.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin nr. 775, datë 23.06.2011, ka caktuar masën e sigurisë arrest në burg, ndaj tij për kryerjen e veprës penale të plagosjes së rëndë me dashje, të kryer në bashkëpunim.
I ekstraduari Elton Koxherri, më datën 02.11.2010, në Tiranë, në bashkëpunim me shtetasin Shkëlqim Koxherri kanë rrahur dhe goditur me dorezë dore shtetasin Majlind L., duke i shkaktuar plagë të rënda. Ngjarja ka ndodhur pas një konflikti në lidhje me pronësinë e një toke.
Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Romën, në datën 12.05.2014, në Itali, u bë i mundur arrestimi, me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë i shtetasit Elton Koxherri.
Në aeroportin "Nënë Tereza" në Rinas ky shtetas iu dorëzuar përfaqësuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve./a.gjonaj/ ./a.g/