TIRANË - Zyra Qëndrore Interpol Tirana ekstradoi sot nga Milano, Itali, drejt vendit tonë, shtetasin Robert (Ardian) Frroku, 42 vjeç, banues në Lezhë.

Ky ishte person i shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Apelit Shkodër, e ka dënuar me 3 vjet burgim, për kryerjen e veprës penale të “Dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”.

Robert Frroku, ka organizuar kalimin e paligjshëm të kufirit, për katër shtetas shqiptarë, me destinacion Italinë.

Nisja e tyre është bërë nga qyteti i Lezhës, ku nëpërmjet një taksie shtetasi Robert Frroku, i ka dërguar shtetasit shqiptare në PKK Hani i Hotit, Shkodër.

Pasi kanë kaluar kufirin po me taksi, shtetasit shqiptarë kanë shkuar në Podgoricë të Malit të Zi, në pritje të një tjetër taksie, që do të dërgonte shtetasi Robert Frroku për t’i marrë e dërguar në Itali, por gjatë pritjes, janë kapur nga policia malazeze dhe janë kthyer ne PKK Hani i Hotit.

Për dërgimin e tyre në Itali, shtetasit shqiptarë kanë deklaruar së kanë paguar nga 2800 euro secili. Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Romën, u bë i mundur arrestimi i tij në Calcinato, Itali, me qëllim ekstradimin drejt vendit tonë.

Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)