Ekstremistët islamistë i japin
edhe një goditje Kosovës

Ekstremistët islamistë i japin<br />edhe një goditje Kosovës
Dy vëllezër nga Kosova, njëri 31 dhe tjetri 28 vjeç, janë arrestuar mëngjesin e së premtes nga autoritetet gjermane të dyshuar se po planifikonin të kryenin një sulm terrorist në një nga qendrat më të mëdha tregtare të Gjermanisë. Ndërsa, prangosja e dy kosovarëve, identiteti i të cilëve akoma nuk është bërë i ditur, i ka mbuluar ballinat e medieve më prestigjioze botërore.

Gazeta amerikane “The New York Times” gjatë ditës së premte ka raportuar për arrestimin e dy shqiptarëve në Berlin, të cilët po planifikonin të kryejnë akt terrorist në qendrën Oberhausen “Centro”, qendër kjo e cila gjendet pranë kufirit me Holandën. Ky rast është i dyti me radhë pas atij të Arid Ukajt, i cili më (2) dy mars të vitit 2011-të, kishte kryer sulm terrorist në aeroportin e Frankfurtit, me ç’rast i kishte vrarë dy ushtarë amerikanë.

Ndërsa, arrestimi i këtyre dy kosovarëve të dyshuarve për ekstremizëm nga njohës të fesë islame dhe njohës të marrëdhënieve ndërkombëtare po vlerësohet si një fatkeqësi e cila do të ndikojë në imazhin e Kosovës në botë.

Duke e konsideruar si një lajm shokues arrestimin e dy vëllezërve kosovarë në Gjermani, të cilët dyshohet se kishin planifikuar të kryenin akt terrorist në një qendër tregtare në shtetin gjerman, profesori universitar i studimeve islame, Xhabir Hamiti, ka deklaruar se ky lajm është tepër i dëmshëm për imazhin e Kosovës dhe kombit shqiptar.

“Ky është një lajm shokues i radhës, tepër i dëmshëm për imazhin tonë si vend dhe si komb. Ne në Perëndim gjithmonë kemi qenë të njohur si populli më integrues me vlerat evropiane, e jo si armiq dhe kërcënues të rendeve dhe sigurisë së tyre. Uroj që ky lajm të shihet si një rast i izoluar i individëve të indoktrinuar dhe të frymëzuar gabimisht, dhe jo si përfaqësues i shumicës absolute të shqiptarëve, të cilët asnjëherë nuk ëndërrojnë e lëre më të mendojnë të jenë të tillë”, ka deklaruar Hamiti.

I pyetur rreth asaj se ky arrestim a përbën njollë të zezë për shtetin e Kosovës dhe qytetarët e saj, profesori Hamiti ka thënë se pavarësisht rrethanave dhe epilogut përfundimtar të këtij rasti, ky rast, sipas tij, krijon përshtypje tepër negative për vendin dhe qytetarët e Kosovës.  

“Identifikimi i tyre përmes medieve prestigjioze në botë, si të dy të rinj, vëllezër të lindur në Kosovë, pavarësisht rrethanave dhe epilogut përfundimtar i cili mund të dalë nga hetimet, padyshim se krijon përshtypje tepër negative për vendin dhe qytetarët tanë.

Ne si shqiptarë, nuk kemi përdorur fenë si instrument as ndaj armikut tonë të drejtpërdrejtë, e lëre më ndaj Gjermanisë apo ndonjë shteti tjetër evropian, të cilat u rreshtuan përkrah neve në ditët më të vështira përmes së cilave po kalonte vendi ynë”,
ka deklaruar në fund profesor Hamiti.

Në anën tjetër, sipas teologut, Zuhdi Hajzeri, ky rast është një krim ndaj kombit shqiptar, i cili po ndikon edhe në imazhin e shqiptarëve.

“Kjo është fatkeqësi..është krim ndaj kombit shqiptar duke ia rrënuar imazhin...krim ndaj myslimanëve dhe ndaj islamit duke e paraqitur tmerrshëm....kjo po e vërteton se dikush me vite dhe me zell ka punuar për t’i vërtetuar pretendimet e Serbisë ndaj shqiptarëve....duket qartë se janë plane të gjata të shërbimeve armike kundër shqiptarëve dhe myslimanëve. Kjo argumenton se as gjendja ekonomike as vizat nuk i kanë fajet, por fajin më të madh e kanë predikuesit Vehabi që e kanë keqpërdorur dhe keqinterpretuar fenë”, ka thënë Hajzeri.

Në anën tjetër, kryetari i Bashkësisë Islame në Podujevë, Bekim Jashari, ka thënë se ky është një rast i izoluar dhe disa individë nuk e përfaqësojnë qëndrimin e kombit shqiptar.

Ne e dënojmë fuqishëm elementin i cili cenon sigurinë e shteteve mike. Në rastin konkret, shprehim keqardhje jashtëzakonisht të thellë. Ky rast është një rast i izoluar, sepse, disa individë nuk e përfaqësojnë qëndrimin e kombit shqiptar, por, kjo duhet të na bëjë neve syçelë, që të punojmë dhe të japim kontributin tonë, sepse, përndryshe imazhi ynë mund të zbehet. Është shqetësuese kur mediet me prestigjioze në botë shkruajnë për arrestimin e këtyre dy personave të cilët kanë tentuar të kryejnë sulm terrorist në Gjermani dhe bëhet është më shqetësuese sepse, imazhin tonë e vënë në pikëpyetje, dhe armiqtë tanë mund ta përdorin si kartë kundër shqiptarëve”, ka thënë Jashari.

Në anën tjetër, Arben Fetoshi, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare ka deklaruar se ky lajm ndikon direkt në imazhin e vendit tonë, mirëpo, sipas tij, ne si shoqëri duhet të distancohemi dhe mos t’i gjeneralizojmë të tilla raste.

Natyrisht se është lajm i tmerrshëm, sidomos kur të dyshuarit për terrorizëm janë bashkëkombës tanë, domosdo që kjo ndikon në imazhin tonë kur të arrestuarit zënë ballinat e medieve më të fuqishme të botës. Mirëpo, mendoj se duhet të tregohemi të kujdesshëm në trajtimin e ngjarjeve të tilla: të distancohemi qartë, por edhe të mos i gjeneralizojmë. Janë raste individuale, të izoluara dhe pasojë e një manipulimi për qëllime morbide, por ndaj të cilave asnjë shoqëri s’mund të jetë plotësisht imune”, ka thënë Fetoshi.

Gjithkund dhe gjithmonë do të ketë individë që mashtrohen për kauza manipulative.

Pa e paragjykuar rastin konkret, mendoj se shfaqja e individëve të tillë ndër shqiptarë siç ishte më herët shkuarja e disa të rinjve në Siri, reflekton gjendjen e vështirë psikologjike nga “pat” pozicioni mes Perëndimit të dëshiruar dhe Islamit agresiv të kohëve të fundit.

Dy vëllezër kosovarë mëngjesin e së premtes janë arrestuar nga policia gjermane në qytetin Duisburg pasi që dyshohen se po planifikonin të kryenin akte terroriste. Vëllezërit të moshës 31 dhe 28 vjeç, të lindur në Kosovë, dyshohet se kishin në shënjestër një qendër tregtare në Oberhausen, në afërsi të kufiri të Gjermanisë dhe Holandës./Zëri

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Lundronin pa dokumente dhe rrezikonin pushuesit, Policia bllokon 39 mjete nga Ksamili në Koman, gjobiten drejtuesit

Lundronin pa dokumente dhe rrezikonin pushuesit, Policia bllokon 39 mjete nga Ksamili në Koman, gjobiten drejtuesit