Nikolas Gejxh është i njohur për drejtimin e lobit grek në Amerikë dhe njihet ndryshe me emrin Nikolas Gaxojani. Ai është shpallur person “non grata” në vitin 1994 nga ish-presidenti i asaj kohe, Sali Berisha. Si shkak për këtë, shërbeu incidenti i ndodhur në fshatin Peshkëpi të Gjirokastrës, ku mbeti i vrarë një ushtar shqiptar në territorin e një reparti ushtarak.

Gejxh, nga autoritetet shqiptare në atë kohë, u shpall person “non grata”, ndërsa u arrestuan 6 minoritarë grekë, të cilët edhe u dënuan gjatë procesit që njihet si “Procesi i të gjashtëve”.

Rikthimi tij në Shqipëri ndodhi vite më vonë, vetëm pas ardhjes së socialistëve në pushtet. Madje në vitet e qëndrimit të socialistëve në pushtet, Gejxh arriti të krijonte marrëdhënie miqësore me ish-kryetarin e PS-së e ish-kryeministrin Fatos Nano.

Por edhe marrëdhëniet e ngrira me Sali Berishën, pasi ishte shpallur “non grata” në 1994-ën, morën një kthesë të dukshme në takimin që ai zhvilloi kokë më kokë me të në selinë e PD-së, në fund të vitit 2002. Afrimi i relatave ndërmjet Berishës dhe Gejxh u dalluan kur në vitet e para të qeverisë “Berisha 1” u mor vendimi për hapjen e një shkolle në gjuhën greke në Himarë, vendim i cili solli edhe shumë reagime në atë kohë. Krahas kësaj, burime nga OMONIA bëjnë me dije se Gejxh vjen në Shqipëri çdo vit dhe zhvillon takime të shumta në zonën e Himarës.