TIRANE - Adrian Levanti u vra me armë zjarri mbrëmjen e 26-prillit të këtij viti. Ngjarja e rëndë ndodhi në katin e shtatë të pallatit ku ai jetonte. Në tentativë për t’u shpëtuar vrasësve, Levanti ka vrapuar nëpër shkallët e godinës, me shpresën se do të gjente një derë hapur për t’u strehuar. Fati nuk deshi që ta ndihmonte.

Sapo ka mbërritur në katin e parafundit, dy personat, të cilët e ndiqnin nga pas, kanë qëlluar në drejtim të tij rreth 7 herë, duke e lënë të vdekur në vend. Plagët e shkaktuara nga 7 të shtënat janë të gjitha poshtë belit, çka i kanë shkaktuar hemorragji të madhe 28-vjeçarit e për pasojë ka ndërruar jetë në vend.

Pas vrasjes, autorët kanë ikur me shpejtësi nga shkallët, duke mos pritur ashensorin. Krimi i rëndë ka tronditur të gjithë banorët e pallatit, të cilët nuk denjonin që të hapnin derën për të folur rreth asaj që kishte ngjarë. Në cilësinë e dëshmitarëve, policia ka marrë në pyetje familjarët e viktimës dhe banorët e pallatit, të cilët janë në dijeni të konfliktit të hershëm mes palëve.

Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)