Vrasja në gusht të 2012, e Gentian dhe Nezir Beqirit, është një ndër dosjet penale më të rëndësishme që kanë në duar prokurorët e Elbasanit, e cila që prej muajit dhjetor 2020, u kthye nga gjykata e këtij qyteti, për plotësim hetimi. Vendimi penal i marrë nga gjyqtarja Enkeleda Kapedani,e cila urdhëron prokurorinë të riçelë sërish hetimet për dosjen në fjalë për një periudhë 4 mujore, duke verifikuar vërtetësinë e thënieve të bashkëpunëtorit të Drejtësisë, Ervis Bardhi dhe rolin në vrasjen e babë e bir, të personit tjetër të arrestuar Etien Cani. Gjykata ka caktuar plot 14 detyra për prokurorinë, detyra këto që duhet të kryhen brenda një afati 4 mujor. Mes 14 porosive më të rëndësishme që gjykata i cakton organit të prokurorisë, është pyetja e dy emrave mjaft të njohur në kanalet kriminale të qytetit të Elbasanit, si Ardian Çapja dhe Florenc Çapja. Xhaxhai dhe nipi, të konsideruar si liderët e grupit “Çapja”, duhet të pyeten dhe të japin shpjegime mbi rolin dhe pozicionin që ata kanë pasur në ngjarjen e vrasjes brenda në shtëpi, të Gentian dhe Nezir Beqirit. Sipas vendimit të gjykatës, emri i Ardian Çapjas dhe Florenc Çapjas, ka dalë nga rrëfimi i bashkëpunëtorit të drejtësisë, i cili ka treguar se pikërisht këta dy persona kanë organizuar dhe financuar vrasjen e Gentian Beqirit, në shenjë hakmarrje për vrasjen e Sokol Çapjes, në muajin dhjetor 2005. Gjykata thotë se këta dy emra duhet të pyeten hollësisht dhe të bëhet ballafaqimi i tyre me Ervis Bardhin dhe Etien Canin.

Një tjetër detyrë e rëndësishme që ka caktuar gjykata e Elbasanit, për prokurorinë është bashkimi në një çështje të vetme, e procedimit nr. 1121 të vitit 2012 ku të pandehur janë Ervis Bardhi dhe Etien Cani me procedimin nr. 1121/2 të vitit 2020, ku persona nën hetim janë Olsi alias Jorgo Leku dhe Klajdi Dokoli, të arrestuar së fundmi nga prokuroria e Elbasanit si të përfshirë në vrasje. Njëherësh në pyetje gjatë kësaj kohe duhet të merret Olsi Leku, si bashkautor në vrasjen e Gentian dhe Nezir Beqirit, ku ai të ballafaqohet me Bardhin dhe Canin. Gjykata në vendimin e saj thotë së duhet të merret në pyetje Klajdi Dokoli, dhe miku i Çapjave të ballafaqohet me Ervis Bardhin dhe Behije Arapin,nënën e Gentian Beqirit. Gjithashtu gjykata cakton detyra për prokurorinë që të pyesë motrën e Gentian Beqirit, dhe dy punonjës policie të Elbasanit, të cilët ditën e krimit kanë qenë me shërbim ruajtje në banesën e Beqirit.

Qëllimi i pyetjes së dy policëve, argumenton gjykata, është për të mësuar nëse Ervis Bardhi, hynte dhe dilte në shtëpisë e Gentian Beqirit, që policët kishin marrë në ruajtje për shkak të masës së sigurisë “arrest në shtëpi” që ndodhej viktima. Një tjetër detyrë shumë e rëndësishme është urdhërimi për kryerjen e hetimeve në lidhje me dy takime sekrete të treguar nga i penduari, Ervis Bardhi, me Olsi Lekun, Etjen Canin,Klajdi Dokolin, Ardjan Çapjan, Florenc Çapjan, takime këto që janë zhvilluar në Elbasan dhe në zonën e Krrabës. Mes 14 detyrave gjykata, shprehet se prokuroria duhet të verifikojë dhe mbi personat që kanë fshirë numrin e shasisë së automjetit, që Ervis Bardhi dhe Olsi Leku, përdorën për tu larguar pas vrasjes së Gentian dhe Nezir Beqirit në Elbasan.