Atentatorët e kryekomisarit Dritan Lamaj janë përpjekur të zhdukin provat e krimit duke i vënë flakën autmjetit tip BMV me targe Durrësi me të cilin dyshohet se është kryer vrasja. Automjeti që rezultonte të ishte i vjedhur dy ditë para krimit që tronditi sërish Policinë e Shtetit u gjet nga policia pasditen e sotme (25 shkurt) në fshatin Domje në periferi te kryeqytetit dhe u transportuar për në Drejtorinë e Policisë së Tiranës.
Policia duket se ka pasur objektiv të qartë që prej ditës së djeshme pasi në banesat e dy të arrestuarve ishte kryer kontroll nga ku u vu re edhe mungesa e tyre. Ndërsa në shtëpinë e Jak Jakut u gjet një arsenal armësh dhe një sasi e konsiderueshme lënde narkotike. Dritan Lamaj së fundmi mbante detyrën e oficerit të policisë në Drejtorinë e Policisë së Shtetit.
Gazetari Arsen Rusta në një lidhje direkte nga ambjentet e brendshme të Policisë së Tiranës raportoi se automjeti do t’i nënshtrohet një ekspertize të imtësishme, si një provë e rëndësishme materiale që do të ndihmojë në hetimet e mëtejshme dhe në vënien nën akuzë të dy personave të ndaluar si autorë të dyshuar Arben Frroku dhe Jak Jaku, ashtu si edhe armët e municionet e sekuestruara në banesën e njërit prej të dyshuarve. Burime te policisë bëjnë me dije se prova më e rëndësishme në duart e prokurorëve rezultojnë pamjet e kameras së një subjekti privat në afërsi të vendit të ngjarjes, e cila mendohet se ka fiksuar të gjithë skenën e krimit.
Ndërsa në Drejtorinë e Policisë Tiranë mes dhjetëra të shoqëruave është edhe djali i biznesmenit, Grand Frroku. Babë e bir kanë qenë në konflikt me kryekomisarin Dritan Lamaj pasi në shtator të vitit të kaluar Arben Frroku ka deklaruar se shefi i komisariatit numër 6 Lamaj e kishte dhunuar fizikisht gjatë kohës që ai ishte i shoqëruar. Ndërsa djali i tij Grandi pat deklaruar se Lamaj ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj tij.
Kryekomisari Dritan Lamaj u ekzekutua me breshëri automatiku rreth orës 18:20 të mbrëmjes së të dielës (24 shkurt) në rrugën "Ibrahim Dervishi", pranë zonës së njohur si "Vasil Shanto", në rrugicën përpara KESH-it, kur Lamaj po parkonte makinën dhe do të dilte nga mjeti për t'iu drejtuar banesës së tij.
Një breshëri plumbash janë derdhur mbi 41-vjeçarin, baba i një vajze të mitur dhe shenjat e plumbave të shumta në numër ishin të dukshme edhe në xhamat e makinës, tip Lança me targa TR 2564N, të cilat i shkaktuan vdejkjen e menjëhershme. Rreth orës 18:50 (të 24 shkurtit) Arsen Rusta, gazetari i televizionit A1 REPORT! nga vendi i ngjarjes informonte se mbi kryekomisarin, dyshohet se ishin derdhur 20 plumba automatiku, ndërsa 11 prej tyre i kishte marrë në trup.
Dritan Lamaj u preh sot rreth orës 14:30 në "Varrezat e Dëshmorëve", në krah të dy komisarëve të tjerë të vrarë në krye të detyrës brenda pak muajsh Adem Tahiraj dhe Musa Skura. Policia e Shtetit organizoi një ceremoni shtetërore ku morën pjesë drejtues të lartë të shtetit, ndërsa nga sot 41-vjecari Lamaj u shpall “Dëshmor i Atdheut”.
Prokurori i Përgjithshëm gjatë ditës së djeshme ka zhvilluar takime me drejtuesit e lartë të Policisë dhe Sigurisë publike si dhe përfaqësues të Prokurorisë së Krimeve të Rënda për këtë ngjarje, e cila ka tronditur jo vetëm institucionet shtetërore, por edhe opinionin publik përsa i përket sigurisë së gjithsekujt ndaj krimit në vend.
POLICIA ZBARDH VRASJEN: FRROKU E JAKU TE DYSHUARIT KRYESORE
Ora 20:30 Në konferencën e parë zyrtare për mediat, Policia e Shtetit konfirmoi se të dyshuarit kryesorë për ngjarjen janë Arben Frroku 44 vjeç dhe Jak Jaku 31 vjeç të arrestuar nga autoritetet policore greke në Selanik. Nga provat e mbledhura është arritur në konkluzionin se vrasja është kryer nga autorët për shkak të detyrës. Policia informoi se në banesën e Jak Jakut është sekuestruar një arsenal armësh dhe një sasi e konsiderueshme lënde narkotike. Duke konfirmuar sërish vrasjen për shkak të detyrës, zëdhënësi i Policisë së Shtetit Tefik Sulemjani dekkaroi se “gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasve Jakë Jaku dhe Ndue Jaku është gjetur e sekuestruar një arsenal armësh, përkatësisht:
- 1 armë zjarri, snajper
- 2 armë zjarri automatike, tip kallashnikov
- 1 armë zjarri pistoletë, tip Bereta
- 2 armë gjahu,
- një sasi e konsiderueshme fishekësh e municione të llojeve të ndryshme etj.
Po ashtu u gjetën e sekuestruan rreth
- 529 gram lëndë narkotike e dyshuar heroinë,
- 396 gram lëndë narkotike e dyshuar kokainë,
- si dhe rreth 35 gram lëndë narkotike e dyshuar marijuanë.
Nga strukturat e policisë u kryen të gjitha veprimet procedurale, ndërkohë që ndaj shtetasit Ndue Mark Jaku vjeç 21, banues në Tiranë, është marrë masa e arrestit në flagrancë. Po në vijim të hetimeve të kryera është gjetur dhe automjeti, me të cilin dyshohet se kanë lëvizur autorët e dyshuar të krimit.
Nga grupi hetimor vazhdon puna intensive për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarje, ndërkohë që për dy autorët e dyshuar të vrasjes së Kryekomisar Dritan Lama po kryhen të gjitha procedurat e nevojshme ligjore, me qëllim vënien e tyre para organeve të drejtësisë shqiptare.
(Foto: Armët e sekuestruara në banesën e Jak e Ndue Jakut)
GJENDET NE DOMJE TE TIRANES MAKINA E VRASJES
Ora 20:05 Në vazhdimësi të hetimeve për zbradhjen e vrasjes së kryekomisarit Dritan Lamaj pas ndalimit të të dyshuarve kryesorë për atentatin, në Domje të Tiranës është bërë e mundur edhe gjetja e makinës tip BMW nga e cila autorët lëshuan breshërinë e plumbave në drejtim t ëish-shefit të komisariatit numër 6. Makina ishte denoncuar nga pronari i saj se ishte vjedhur dy ditë më parë në qytetin e Durrësit. Në vendngjarje janë gjetur edhe prova të tjera material të cilat duket se do hedhin dritë mbi ngjarjen e rëndë të ndodhur mbrëmjen e djeshme. Automjetit i ishte vënë flaka dhe është djegur një pjesë e brendshme e tij, ndërsa targat i ishin hequr.
(Makina me të cilën dyshohet se ndodheshin autorët gjatë momentit të vrasjes)
NDALOHET ARBEN FRROKU NE SELANIK, DJALI I TIJ NE TIRANE
Ora 19:10 Ndër dhjetëra të shoqëruar për ekzekutimin me breshëri automatiku të kryekomisar Dritan Lamaj mbrëmjen e 24 shkurtit në kryeqytet janë ndaluar edhe të dyshuarit kryesorë. Biznesmeni Arben Frroku dhe një person tjetër me inicialiet J.J janë vënë në pranga nga policia nën akuzën e të dyshuarve kryesorë për atentatin kundër ish-shefit të komisariatit numër 6. Ndalimi i tyre u bë në Selanik të Greqisë. Sipas grupit hetimor, tre orë pas vrasjes autorët ishin larguar drejt Greqisë, ndaj dhe kërkimet e tyre u përqëndruan jashtë kufirit.
Ndërsa në Drejtorinë e Policisë Tiranë mes dhjetëra të shoqëruave ndodhet edhe djali i biznesmenit, Grand Frroku. Babë e bir kanë qenë në konflikt me kryekomisarin Dritan Lamaj pasi në shtator të vitit të kaluar Arben Frroku ka deklaruar se shefi i komisariatit numër 6 Lamaj e kishte dhunuar fizikisht gjatë kohës që ai ishte i shoqëruar. Ndërsa djali i tij Grandi pat deklaruar se Lamaj ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj tij.
(Foto: Grand Frroku dhe biznesmeni Arben Frroku)
MAKINA E VRASJES E VJEDHUR DY DITE ME PARE NE DURRES
Ora 16:00 Ngjarja e vrasjes së kryekomisarit pritet të marrë rrjedhën e duhur në zbardhjen e plotë të saj pasi kamerat e sigurisë në vendin ku ndodhi krimi kanë fiksuar momentin kur Dritan Lamaj është qëlluar me 20 plumba automatike të drejtuara mbi makinën e tij ndërsa 11 plumba i ka marrë në trup, të cilat i kanë shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Ndërsa gjatë orëve të pasdite së sotme të dhëna të reja vijnë me atentatin ndaj kryekomisarit Lamaj. Sipas uniformave blu automjeti në të cilin ndodheshin personat nga është qëlluar breshërinë e automatiku ndaj ish-shefit të komisariatit numër 6, Dritan Lamaj, ishte vjedhur dy ditë më parë në qytetin e Durrësit. Pronari i automjetit kishte denoncuar në polici për vjedhjen e makinës, ndërsa pas ngjarjes së rëndë ai është marrë në pyetje. Automjeti me të cilin u krye vrasja është e tipit BMW me targa DR-P. Hetimet janë shtrirë në disa qarqe, ndërsa pista kryesore e tyre mbetet vrasja për shkak të detyrës si shef i komisariatit numër 6.
Prokurori i Përgjithshëm ka bërë takim me drejtuesit e lartë të policisë dhe sigurisë publike për këtë ngjarje e cila ka tronditur jo vetëm institucionet shtetërore, por edhe opinionin publik përsa i përket sigurisë së gjithsekujt ndaj krimit në vend.
NDERIMET E FUNDIT
Ora 13: 30 Krerët më të lartë të shtetit, si kryeministri Berisha, ministri i Brendshëm Flamur Noka, kryetari i PS-së Edi Rama, kreu i FRD-së Bamir Topi zhvilluan homazhe përpara trupit të vrarë të kryekomisarit Dritan Lamaj.
Kryeministri Berisha duke shprehur ngushëllimet tha se "Ky akt kriminal e barbar do të marrë të gjithë ndëshkimin e merituar ligjor." Kryetari i PS-se Edi Rama bëri përgjegjës qeverinë. Është e e treta herë- tha Rama duke shtuar se "policia është e tradhtuar e po rrënohet dita-ditës dhe përkushtimi dhe heroizmi i tërë atyre shqiptarëve të ndershëm, që nën uniformën e policit po bëjnë gjithçka e mundur, është i pamjaftueshëm nëse nuk mbështetet nga një qeveri dhe shtet që nuk bën atë që duhet të bëjë dhe nuk respekton liritë dhe të drejtën e qytetarëve për të jetuar të qetë nga krimi: çdo ditë vrasje, çdo ditë krim, çdo ditë vriten komisarë policie."
Kreu i FRD-së, ish presidenti Bamir Topi dënoi ashpër ekzekutimin e kryekomisarit dhe shprehu "publikisht edhe shqetësimin e thellë për rritjen e nivelit të kriminalitetit, si dhe dështimin e organeve përgjegjëse për parandalimin e akteve të tilla. Drejtuesit e Ministrisë së Brendshme, të qeverisë dhe të Policisë së Shtetit duhet ta kuptojnë se nuk janë aty për të bërë retorika politike duke përcjellë me homazhe kryekomisarët e radhës, por për të përmbushur detyrimin kushtetues dhe pritshmërinë qytetare për sigurinë e jetës, pronës, institucioneve dhe shtetit të së drejtës."- tha Topi. LEXONI ME TEPER DEKLARATAT E ZYRTAREVE NE CEREMONINE E HOMAZHEVE
(Foto: Homazhet per nder te Dritan Lamajt)
GAZETARI I TV A1 REPORT: MENDOHET SE AUTORET JANE IDENTIFIKUAR
Ora. 13.05 Mendohet se autorët e vrasjes së kryekomisarit janë identifikuar tashmë nga policia. Njoftimi i parë vjen nga gazetari i "A1 Report", Arsen Rusta, i cili u referohet burimeve nga policia. Në 12: 30 nisën homazhet për nder të Dritan Lamajt, në Shtëpinë Qëndrore të Ushtrisë.
BURGAJ E NOKA NE SHTEPINE E DRITAN LAMAJT
Ora 11:19 Drejtori i Policisë, Hysni Burgaj dhe ministri i Brendshëm Flamur Noka ndodhen në shtëpinë e familjes Lamaj për të kryer homazhe. “Humbje e rëndë për familjen por edhe për organizatën e policisë. Ministria e Brendshme dhe Qeveria do të jenë pranë jush për të lehtësuar dhimbjen. Kriminelët do të përballen me forcën e ligjit."- ka thënë ministri Noka.
POLICIA: LAMAJ U VRA PER SHKAK TE DETYRES
Ora 10:43 Policia e Tiranës deklaron se vrasja e kryekomisarit është kryer për shkak të detyrës si punonjës i policisë.
"Nga grupi hetimor ne perberje te te cilit jane oficeret per hetimin e krimeve te renda, Prokurore te Krimeve te Renda dhe Eksperte kriminalist, nga analizimi i ngjarjes dhe i provave te administruara eshte arritur ne konkluzionin se vrasja e Kryekomisar Dritan Lamaj, eshte kryer nga autoret, per shkak te detyres si punonjes policie."- thuhet ne njoftimin e policisë.
POLICIA E SHTETIT: LAMAJ DO PREHET NE VARREZAT E DESHMOREVE, HOMAZHET NE 12:00
Ora 09:58 Policia e Shtetit informon se kryekomisari Dritan Lamaj do të përcillet për në banesën e fundit përmes një ceremonie shtetërore. Homazhet do të zhvillohen në orën 12:30- 13: 30 në Shtëpinë Qëndrore të Ushtrisë. Kryekomisari Lamaj do të shpallet "Dëshmor i Atdheut".
Trupi i të ndjerit Kryekomisar Dritan Lama do të prehet në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit në Tiranë. Ceremonia e varrimit do të zhvillohet nga ora 13.30' - 14.30', pranë Varrezave të Dëshmorëve të Kombit. Në vijim do të zhvillohen vizita tek familjarët e punonjësit të policisë Kryekomisar Dritan Lama, i cili humbi jetën për shkak të detyrës.
HETIMET, LAMAJ ISHTE I KERCENUAR ME JETE
Ora 07:30 Një grup i posaçëm hetimor, po kryejnë veprimet e para proceduriale duke mbledhur dhe administruar të gjitha provat dhe dëshmitë e vlefshme. Burime të pakonfirmuara bëjnë të ditur se zyrtarë të lartë të policisë ishin në dijeni të përplasjeve të forta, dhe se Dritan Lamaj ishte kërcënuar me jetë edhe kur ishte larguar nga posti i shefit të komisariatit dhe punonte në Drejtorinë e Policisë së Përgjithshme. madje kishte bërë edhe padi në Prokurori për “kanosje për shkak të detyrës, por këto të dhëna nuk konfirmohen zyrtarisht. Ndërkohë, dihet se Lamaj ka disa procese gjyqësore të hapura, ndaj disa personave, të cilët akuzohen për "Kundërshtim të punonjësit të policisë.
Policia e Tiranës përmes një deklarate për mediat bëri të ditur mbrëmë se vë në dispozicion një shumë prej 100 mijë dollarësh për çdo informacion që mund të çojnë në zbulimin dhe më pas në arrestimin e autorëve. Sipas policise dyshimet e para flasin për një atentat mafioz, të mirëorganizuar për shkak të detyrës për një periudhë 20-vjeçare në Policinë e Shtetit.
Dritan Lamaj ishte i martuar dhe babai i një vajze minorene.
(Foto: Alma Lamaj, nusja e kryekomisarit në vendin ku u ekzekutua bashkëshorti i saj pranë banesës, 24 shkurt 2013 )
ÇFARE NDODHI PAS VRASJES, HAP PAS HAPI, 24 SHKURT 2013
RAMA: EDHE NJE KRYEKOMISAR I VRARE
Ora 21: 50 Kryetari i PS-së reagon në Twiiter. “Edhe nje komisar i vrare! Ne mes te Tiranes. Sa jete policesh do kushtoje ende tradhetia e pushtetit ndaj Policise? #RILINDJE”
(Foto: Edi Rama ne Twitter)
PROKURORIA PYET 20 DESHMITARE, AUTORET TE MASKUAR DHE ME MAKINE
Ora 21: 38 Gazetari ynë Arsen Rusta informon se deri tani nga Prokuroria e Përgjithshme janë marrë në pyetje mbi 20 dëshmitarë të cilët kanë dëshmuar se autorët kanë qenë të hipur në një makinë tip BMW me targa Durrësi.
"Autorët kanë qenë të maskuar dhe hipur në makinë tip BMW me targa Durrësi. Ata kanë ndjekur Dritan Lamaj për një farë kohe dhe kanë gjetur momentin kur ka ndaluar makinën për ta parkuar, autorët kanë hapur dritaren e makinës dhe kanë qëlluar në drejtim të tij. Gazetari informon se në momentin kur kanë shtënë me armë, makina ka pasur ende dritat e ndezura.
DEPUTETI I PS-se NE VENDIN KU U EKZEKUTUA DRITAN LAMAJ: VRASJA MAFIOZE
Ora 21:12 Deputeti socialist Paulin Sterkaj ishte në vendin ku ndodhi vrasja. Në një prononcim për Tv A1 REPORT! Sterkaj tha se kjo vrasje “konfirmon pasigurinë në vend”.
“Tre komisarë u zhdukën në mënyrë mafioze. Kjo tregon siguri nuk ka më në këtë vend. Ka ardhur koha të bëjmë një reformë në radhët e policisë, sot vdiq kryekomisari nesër mund të kemi vrasje të tjera”- tha deputeti Sterkaj duke e quajtur vrasjen “tipike mafioze”
SHEMSI PRENCI: PREJ 2 VITESH SHTETI KA HUMBUR KONTROLLIN MBI KRIMINELET
Ora 21:08 Në një intervistë telefonike për tv A1 REPORT!, ish drejtuesi i policisë, në Dibër dhe ish drejtor i Forcave Speciale në Policinë e Shtetit, Shemsi Prençi shprehu keqardhjen dhe tha se politikat që po ndiqen për largimin dhe emërimet në polici është e gabuar.
“Uroj që vrasja të mos jetë nga konfliktet për shkak të detyrës. Politikat që po ndiqen në emërimet dhe largimet e policëve është tejet e gabuar. Nëse janë të tilla shteti duhet të ndërmarrë një reformë dhe organizim tjetër për të fituar luftën mbi krimin...Policia e shtetit ka 2 vite që e ka humbur kontrollin mbi luftën e egër nga kriminelet dhe është gjallëruar së tepërmi gurpi i kriminelëve në luftë kundër shtetit.”- tha Prençi.
Ai kujton se “e kam njohur personalisht, ishte një oficer aktiv në luftën e krimit. Nuk di të ketë pasur konflikte të këtij karakteri sa t’i zbrazet një automatik për t’i marrë jetën."
POLICIA DEKLARATE PER VRASJEN
Ora 20:24 "Sot, eshte vrare me arme zjarri punonjesi i policise se Drejtorise se Pergjithshme te Policise se Shtetit, Kryekomisar Dritan Lamaj, 41 vjeç, me banim ne Tirane. Menjehere ne vendngjarje shkuan sherbimet e policise, strukturat per krimet e renda te Policise se Shtetit, u formua nje grup i posacem hetimor, te cilet aktualisht po kryejne veprimet e para proceduriale duke mbledhur dhe administruar te gjitha provat e vlefshme per ngjarjen.
Ne lidhje me kete ngjarje te rende, Policia e Shtetit, vendos ne dispozion shumen e parave prej 100 mije Dollare per cdo person i cili jep informacion te vlefshem ne drejtim te indetifikimit te autorit, ne cdo rast duke ruajtur anonimatin. Per cdo informacion ne drejtim te identifikimit dhe kapjes se autorit do t’ju informojne ne vijimesi"- thuhet në njoftimin për shtyp.
100 POSTBLLOQE NE TE GJITHE TIRANEN
Ora 20:20 Mbi 100 postblloqe janë ngritur në të gjithë Tiranën, ndërkohë që në operacion janë përfshirë edhe forcat speciale të policisë.
(Foto: Makina e Dritan Lamaj)
EKSPERTET E POLICISE HEQIN MAKINEN NGA VENDI I NGJARJES, DO EKZAMINOHET
Ora 20:00 Ekspertët po heqin automjetin nga vendi i ngjarjes. Në cilësinë e provës materiale policia sekuestroi automjetin e kryekomisarit të vrarë, si dhe telefonin celular të tij. Nderkaq grupi hetimor sekuestroi edhe pamjet e kamerave të sigurisë së disa prej bizneseve në zonen ku ndodhi krimi i rëndë.
(Foto: Eugen Beci prokurori i krimeve të Rënda në vendin e krimit, ku u vra Dritan Lamaj)
POLICIA: 100 MIJE DOLLARE PER CDO INFORMACION
Ora 19: 59 Policia e Tiranës informon se vë në dispozicion një shumë prej 100 mijë dollarësh për çdo informacion që mund të çojnë në zbulimin dhe më pas në arrestimin e autorëve.
Dyshimet e para flasin për një atentat për shkak te detyrës për një periudhë 20-vjeçare në Policine e Shtetit. Prokurorët e Krimeve të Rënda Eugen Beci e Besnik Muçi ndodhen në vendin e ngjarjes. Vrasësit dyshohet të jenë larguar me motor.
DRITAN LAMAJ DHE KERCENIMET
Në kohën që mbante postin e shefit të Komisariatit nr 6 në Tiranë, Dritan Lamaj ka pasur përplasje me disa biznese në zonën e Kombinatit. Në shtator të vitit 2012 biznesmeni Arben Frroku e ka akuzuar publikisht Lamajn se kishte përdorur dhunë ndaj personit të tij. Sipas biznesmenit Frroku ai është dhunuar egërsisht me grushta dhe shkelma nga Lamaj. Pas këtij rasti që u bë publik në media ka pasur edhe një protestë nga Lëvizja Shqipëria Re kundër shefit të Komisariatit nr.6 Dritan Lamaj. Qindra protestues të veshur me flamurin kombëtar, i bënë thirrje më 28 tetor në kryeministrit dhe Ministrisë së Brendshmëm të shohin faktet që sipas tyre dëshmojnë dhunën dhe të shkarkonin Lamajn nga Detyra. Ndërsa më 2 Nëntor drejtori i Përgjithshëm i Policisë së shtetit Hysni Burgaj firmosi shkarkimin nga detyra të Dritan Lamajt.
(Foto: Dritan Lamaj me uniformën e policisë dhe makina e copëtuar nga plumbat)
Dritan Lamaj, është kryekomisari i tretë i vrarë brenda disa muajsh, pas vrasjes së shefit të komisariatit të Shijakut Adem Tahiraj, shefi i komisariatit të Burrelit Musa Skura. Dy kryekomisarët e fundit u vranë gjatë një operacioni policor.