DURRES- I liruar nga burgu në datën 11 maj pasi kishte vuajtur dënimin prej 12 vitesh burg për përdhunimin e dhjetëra femrave, Arben Tollia është ekzekutuar mbrëmjen e djeshme me një breshëri kallashnikovi. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:50 minuta të mbrëmjes së djeshme pranë shkollës 9-vjeçare në Xhafëzotaj të Durrësit. Në këtë kohë 10 plumba kallashnikovi i kanë marrë jetën 50-vjeçarit duke e lënë të vdekur në vend. Në drejtim të vendit të ngjarjes kanë mbërritur forca të shumta policie që kanë nisur hetimet. Krimi ka ndodhur në qendër të fshatit të Xhafzotaj dhe mendohet se kanë qenë dy persona që kanë kryer vrasjen.
 
EKZEKUTIMI I TOLLISË
Pak pa shkuar ora 23:00 e mbrëmjes së djeshme një breshëri plumbash kallashnikovi i ka ndërprerë jetën Arben Tollisë, “Don Zhuanit” nga Durrësi i cili gjatë seancave në Gjykatën e Krimeve të Rënda kishte pranuar se kishte bërë dashuri me 380 femra. 50-vjeçari ka qenë në qendër të fshatit të tij kur është qëlluar, ndërsa personat që ndodheshin në vendin e ngjarjes kanë njoftuar policisë. Tollia kishte lënë qelinë në datën 11 maj 2014, ndërsa është ezkekutuar 15 ditë më parë në vendin e tij. Ai ka gjetur vdekjen e menjëhershme dhe ka qenë e kotë dhe dhënia e ndihmës. Mësohet se plumbat e kanë zënë 50-vjeçarin Tollia në pjesën e kraharorit duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse. Policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet. Në vendin e krimit uniformat blu kanë gjetur 10 gëzhoja kallashnikovi.
 
PISTAT E HETIMIT
Disa janë pistat e hetimit në lidhje me vrasjen e Arben Tollisë, i liruar pasi kishte vuajtur dënimin prej 12 vitesh. Burime nga uniformat blu të qytetit të Durrësit, kanë bërë të ditur se, po hetojnë për krimet e vjetra që dyshohet se ka kryer Tollia deri në momentin kur është denoncuar për përdhunim. Ai ishte vënë në pranga nga fundi i vitit 2005, pasi ndaj tij ishin bërë disa denoncime. Por policia po heton edhe për mashtrime të shumta që ka bërë Tollia gjatë kohës kur ka qenë i lirë. Ai paraqitej si biznesmen në kohën kur mashtronte femrat dhe më pas kryente marrëdhënie seksuale me to. Rasti i fundit për të cilin ishte arrestuar Arben Tollia, ka të bëjë me një denoncim të bërë në muajin janar 2014. Në 18 janar Tollisë i ishte komunikuar denoncimi për një përdhunim të bërë nga ai, pasi kishte marrë një leje shpërblyese nga burgu i Vaqarrit.
 
DËSHMITË
Me të mbërritur në vendin e ngjarjes, uniformat blu të qytetit bregdetar kanë marrë dëshmitë e disa personave që ndodheshin në vendin e ngjarjes, në kohën kur ka ndodhur krimi. Deri më tani detajet e mbledhura nuk janë të shumta, ndërsa nuk janë identifikuar autorët e këtij krimi.


Shkrimi u përditësua në 27 maj 2014
(d.a/shqiptarja.com)