Ekzekutohet me 4 plumba lideri
serb në Kosovë,Oliver Ivanoviç

Ekzekutohet me 4 plumba lideri<br />serb në Kosovë,Oliver Ivanoviç<br /><br>
Lideri i iniciativës qytetare 'Liri, Demokraci, Drejtësi', Oliver Ivanoviç, është ekzekutuar me armë zjarri në Kosovë, teksa është qëlluar me katër plumba në gjoks. Mediat fqinje raportojnë se politikani serb nuk ka mundur t'iu mbijetojë plagëve të rënda të marra gjatë të shtënave në veri të Mitrovicës. 

Mediat serbe kanë dhënë lajmin për vdekjen e tij, teksa sqarojnë se nuk iu ka mbijetuar dot plagëve të marra, pavarësisht mjekimit. Ai u dërgua me urgjenc në sallën e reanimacionit, në gjendje shumë të rëndë, dhe ishte në duart e mjekëve më të mirë të Mitrovicës, si dhe të ekspertëve nga Beogradi, por mbylli sytë përgjithmonë. 

Menjëherë pas ngjarjes së rëndë, Serbia ka marrë vendimin drastik ndaj Kosovës, duke ndërprerë me urgjencë bisedimet në Bruksel.

Ora 14:00 Vuçiç flet pas mbledhjes së jashtëzakonshme:Akt terrorist
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, e ka cilësuar akt terrorist vrasjen e liderit serb në Kosovë, Oliver Ivanoviç. Në reagimin e tij të parë për ngjarjen e rëndë pas mbledhjes së jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Vuçiç deklaroi se Serbia do ta trajtojë atë veprim në përputhje me rrethanat.

“Ky është një akt terrorist sa i përket shtetit të Serbisë dhe qëndrimi ynë ndaj këtij akti do të jetë në përputhje me këtë”, tha Vuçiç. 

Ora 13:15 Rama:Tragjedi që nxit urrejtje e tension
Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar një tragjedi vrasjen e liderit serb në Mitrovicë të Kosovës, Oliver Ivanoviç. Shefi i ekzekutivit shqiptar shpreh keqardhjen e thellë për ekzekutimin me 4 plumba të Ivanoviç para zyrës së tij. Rama e quan këtë akt qëllimkeq që nxit tensionet dhe urrjetjet mes dy vendeve.

Më tej, kreu i qeverisë shprehet se përpjeket për dialog dhe paqe nuk duhet të ndalen, por duhen thelluar. “Keqardhje e thellë për tragjedinë e Oliver Ivanovic;akt qëllimkeq që nxit urrejtje e tension.Përpjekjet për dialogun e paqen s’duhen ndalur! Duhen thelluar!”

Ora 13:00 Meta: Të kapen urgjent autorët
Presidenti i Republikës, Ilir Meta shpreh keqardhjen e thellë dhe dënon ashpër vrasjen e politikanit serb të Kosovës, Liderit të Iniciativës Qytetare “Liria, Demokracia dhe Drejtësia”, Oliver Ivanoviã. Presidenti Meta shpreh gjithashtu besimin se autoritetet përkatëse do ta zbardhin sa më parë këtë akt kriminal dhe do të venë vënë përpara drejtësisë autorët.

Presidenti Meta bën thirrje për vlerësimin e situatës me qetësi e maturi dhe që ky akt kriminal të mos ndikojë në procesin e rëndësishëm të dialogut midis Serbisë dhe Kosovës, proces i cili është shumë i rëndësishëm për të ardhmen evropiane të të dy vendeve dhe për stabilitetin, paqen dhe sigurinë e rajonit tonë

Ora 11:50 Monika Kryemadhi: Ngjarje e rëndë, të vazhdojë dialogu Kosovë-Serbi
Vrasja e Oliver Ivanoviçit ngjarje shumë e rëndë. Duhet të zbardhet menjëherë çështja dhe të gjenden autorët. Pavarësisht kësaj ngjarje të rëndë, dialogu Kosovë- Serbi duhet të vazhdojë. Politika duhet të dijë ta tejkalojë këtë situatë në emër të integrimit evropian.

Ora 11: 40 BE dënon vrasjen e në Kosovës të Ivanoviçit
“Ne presim që autoritetet përkatëse të sundimit të ligjit në Kosovë të mos kursejnë asnjë përpjekje për gjetjen e autorëve dhe t’i sjellin ata para drejtësisë pa vonuar. EULEX do të përkrahë autoritetet në përputhje me mandatin e vet. Ftojmë të gjitha palat të tregojnë qetësi dhe të përmbahen në mënyrë që sundimi i ligjit dhe drejtësia të marrin rrugën e duhur”, ka thënë Maja Kocijançiç, zëdhënëse e Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Federica Mogherini.

Ora 11: 20 Hashim Thaçi:Ndriçoni urgjent rrethanat e vrasjes
E dënoj fuqishëm vrasjen e kryetarit të Iniciativës Qytetare "Liri, Demokraci, Drejtësi" në veri e vendit, Oliver Ivanoviç. I ftoj organet e rendit që t’i ndriçojnë sa më shpejtë rrethanat e vrasjes së tij dhe aktorët e krimit të dalin para drejtësisë. Gjithashtu, apeloj te qytetarët e të gjitha komuniteteve në veri të vendit që të bashkëpunojnë me organet e drejtësisë për ndriçimin sa më të shpejtë të kësaj vrasjeje.

Ora 11:05 Paralajmëron bashkëshortja e Ivanoviç: Autorët s'do përfundojnë mirë
“E rëndësishme është që fëmijet tanë janë mirë dhe tani janë me nënën time. Kush e ka bërë këtë, duhet ta dijë se nuk do të përfundojë mirë”, është shprehur Milena.

Ora 10: 40 Reagon Qeveria e Kosovës:Të kapen autorët e krimit
Qeveria e Republikës së Kosovës dënon ashpër aktin e vrasjes me armë zjarri të politikanit serb nga Kosova, Oliver Ivanoviç, përpara selisë së partisë së tij në pjesën veriore të Mitrovicës. Qeveria e Republikës së Kosovës vlerëson se akti i vrasjes së Oliver Ivanoviçit sfidon sundimin e ligjit dhe çdo përpjekje për të vendosur rendin në gjithë territorin e Kosovës.

Dhuna është e papranueshme pa marrë parasysh nga kush vjen dhe ndaj kujt drejtohet. Qeveria fton të gjithë qytetarët që të bashkëpunojnë me organet e rendit në zbardhjen e rastit dhe njëkohësisht nga mekanizmat e sigurisë kërkon që të kapin autorët e krimit dhe t’i sjellin ata përpara drejtësisë.  

Ora 10:20 Serbia merr vendimin drastik ndaj Brukselit
Delegacioni i Serbisë në Bruksel ka ndërprerë bisedimet që nisën sot dhe mësohet se ata do të kthehen me urgjencë në Beograd për shkak të vrasjes së liderit serb të SDP-së në Mitrovicë të Veriut, Oliver Ivanoviç.
Gazeta “Blic” e Beogradit thotë se delegacioni i Serbisë i ka ndërprerë bisedimet në Bruksel, ndërsa presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, gjithnjë sipas “Blicit”, ka caktuar takim urgjent të Këshillit të Sigurisë së Serbisë.

Ora 10:00 SHBA paralajmëroi qytetarët pak ditë parë
Vetëm pak ditë para ngjarjes tragjike në Mitrovicë të Kosovës, ku u ekzekutua lideri serb, Oliver Ivanoviç, SHBA paralajmëroi të gjithë qytetarët e saj të bëjnë kujdes.  Në një paralajmërim të Departamentit Amerikan të shtetit që mban datën 10 janar, përmenden komunat veriore të Kosovës të banuara më shumicë serbe si zona me shkallë të shtuar të rrezikut.

Në paralajmërim thuhet se "grupet terroriste vazhdojnë të planifikojnë sulme të mundshme në rajonin e Ballkanit, duke përfshirë Kosovën. Terroristët mund të sulmojnë me pak ose pa paralajmërim, duke synuar zonat turistike, qendrat e transportit, tregjet dhe qendrat tregtare, objektet e qeverisjes vendore, hotelet, klubet, restorantet, vendet e adhurimit, parqet, ngjarjet kryesore sportive dhe kulturore, institucionet arsimore, aeroportet dhe zona të tjera publike. Përveç kësaj, dhuna e motivuar politikisht ndodh në të gjithë Kosovën".

Ora 09:40 Policia ka shkuar në vendngjarje dhe ka gjetur katër gëzhoja, ndërsa është gjetur dhe një makinë e djegur në 'Lagjen e Doktorëve', e cila dyshohet të jetë e atentatorëve.

Ora 09:30 Mësohet se Ivanoviç është sulmuar nga persona të panjohur, të cilët e kanë qëlluar me katër plumba, teksa ai po hynte në ambientet e partisë së tij. Menjëherë kanë nisur hetimet, ndërsa nuk dihen ende rrethanat e ngjarjes së rëndë dhe autorët e krimit.

Ndërkohë, përfaqësuesi i serbëve në Kosovë ishte paralajmëruar dhe gjatë vitit 2017, kur i ishte djegur makina në qendër të Mitrovicës.
makina e oliverit
(Makina e djegur e Oliver Ivanoviç në vitin 2017)

Oliver Ivanoviç është akuzuar nga Gjykata e Mitrovisëc për krime lufte, ndërsa në vitin 2017 ai bëri dhe një deklaratë të papritur për shqiptarët, teksa tha se Serbia i ka nënçmuar pa të drejtë, duke shprehur vlerësim për historinë, kulturën dhe traditat e tyre.

“Ne kemi shumë paragjykime për shqiptarët, por në fakt nuk dimë shumë për ta. Për historinë e tyre, për kulturën, traditën dhe të tjerat. Mendoj se serbët dhe shqiptarët mund të bashkëjetojnë vetëm kur gjendet interes i madh i përbashkët. Realiteti i ri në Kosovë, çdo ditë e më shumë ka filluar të pranohet nga serbët. Sidomos nga ata serbë që jetojnë në Kosovë”, tha Ivanoviç në maj të 2017.

d.c./shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Putin dhe ëndrra për Ukrainën si një shtet kukull i Moskës! Plani i tij për të pranuar armëpushimin

Putin dhe ëndrra për Ukrainën si një shtet kukull i Moskës! Plani i tij për të pranuar armëpushimin