ELBASAN- Një 35-vjeçar ka shkuar në spitalin e Elbasanit një ditë më parë për të marrë ndihmë mjekësore, pasi dyshohet se është plagosur me armë zjarri. Rreth orës 21:30, Fatmir Murati ka mbërritur në spital i plagosur dhe pasi ka marrë ndihmën mjekësore është larguar.
Në dëshminë që ka dhënë para grupit hetimor, Murati ka deklaruar se është vrarë nga një hekur pasi është rrëzuar nga motori në zonën e quajtur “Harqet”. Më pas policia ka marrë edhe dëshminë e dy shokëve të tij, Shkëlzen Hoxhës, 33 vjeç dhe Mariglen Gostimës, 30 vjeç, të cilët nuk kanë treguar rrethanat e vërteta sesi ka ndodhur ngjarja.
Për këtë arsye, tre të rinjtë janë arrestuar me akuzën për veprën penale ‘Moskallëzim krimi’ dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”. Ende nuk është e qartë se si ka ndodhur ngjarja dhe se si është plagosur 35-vjeçari. Gjatë kontrollit të vendngjarjes, grupi hetimor nuk u ka gjetur të rinjve asnjë send të kundraligjshëm dhe as gëzhoja. Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e ngjarjes.