Një 40-vjeçar është shpallur në kërkim nga Policia e Elbasanit pasi në banesën e tij iu sekuestruan kanabis në pjesë të ndara gati për shitje, një shumë e madhe parash dhe sende të kundërligshme.
Në momentin e ndërhyrjes, 40-vjeçari nuk u gjet në banesë ndërkohë që vijon puna intensive për lokalizimin dhe kapjen e tij.
Gjithashtu janë vendosur nën hetim dy klientë të tij, një 37-vjeçar që po shkonte për të blerë drogë dhe një 20-vjeçar me kanabis me vete, që e kishte marrë nga personi i shpallur në kërkim.
Njoftimi i plotë i policisë:
Elbasan/Goditet një rast i shitjes së lëndëve narkotike.
Sekuestrohet një sasi lënde narkotike kanabis, një pjesë e ndarë në doza, gati për shitje, shuma parash në lekë dhe euro, të dyshuara të përfituara nga shitja e lëndës narkotike, dhe sende të tjera të kundërligjshme.
Shpallet në kërkim shtetasi që posedonte lëndën narkotike, me qëllim shitjen në doza.
Vihen në hetim 2 shtetas që dyshohet se do të blinin lëndë narkotike.
Në zbatim të masave për parandalimin dhe goditjen e tentativave për të shitur lëndë narkotike, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me shërbimet e Seksionit për Mbështetjen Operacionale të Hetimit dhe ato të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në drejtimin e Prokurorisë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Shitblerja”, ushtruan kontroll në banesën e shtetasit K. N., 40 vjeç, banues në Elbasan.
Gjatë kontrollit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 1 kilogram e 130 gramë lëndë të dyshuar narkotike Cannabis Sativa (një pjesë e ndarë në doza), 1 peshore elektronike, 1 armë gjahu që posedohej pa leje, 71 700 lekë dhe 100 euro.
Në momentin e ndërhyrjes, 40-vjeçari nuk u gjet në banesë dhe vijon puna intensive për lokalizimin dhe kapjen e tij.
Ndërkohë, u proceduan në gjendje të lirë shtetasit B. D., 37 vjeç dhe A. S., 20 vjeç, banues në Elbasan.
37-vjeçari u kap në afërsi të banesës së shtetasit në kërkim, ku dyshohet se po shkonte për të blerë doza. Nga kontrolli fizik, atij iu gjet 1 armë e ftohtë (thikë).
Në afërsi të kësaj banese, u kap edhe 20-vjeçari me një sasi lënde narkotike me vete, të cilën dyshohet se kishte blerë nga shtetasi K. N.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë










Komente
Komento