/ ATSH-Miranda Sadiku- Një 30-vjeçare me detyrë oficere kredie pranë një banke të nivelit të dytë në Elbasan është arrestuar pasi akuzohet për veprat penale " vjedhje duke shpërdoruar detyrën", " vjedhje e bankave dhe arkave të kursimit", si edhe  "fallsifikim dokumentash".
Burime të policisë bëjnë të ditur se "është arrestuar 30-vjeçarja Alketa Selimaj, pasi duke qenë me detyrë oficere kredie, dyshohet se nëpërmjet shpërdorimit të detyrës ka vjedhur një shumë prej 2.8 milionë lekësh klientëve të bankës duke fallsifikuar dokumentat e tyre.
Mësohet se ajo fallsifikonte dokumentat duke përfituar nëpërmjet kredisë që klientët aplikonin në këtë bankë, emri i të cilës nuk bëhet e ditur.
Shkak i arrestimit të saj është bërë denoncimi i një prej klientëve, i cili kishte vënë re se të dhënat e aplikimit të kredisë së tij nuk korrespondonin me dokumentin që ai dispononte. Sektori kundër krimit ekonomik, në bazë të këtij denoncimi nisi hetimet dhe verifikimet në bankë nga ku edhe konstatoi vjedhjen e kryer nga kjo punonjëse. Mësohet gjithashtu se materialet në ngarkim të saj i kanë kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për hetime të mëtejshme.z.t