Elbasan, Balla: Do të investojmë
232 mln dollarë në bujqësi

Elbasan, Balla: Do të investojmë<br />232 mln dollarë në bujqësi
Drejtuesi politik i PS në qarkun e Elbasanit për zgjedhjet e 25 Qershorit, Taulant Balla zhvilloi një takim me fermerët e duhanit dhe përfaqësues të kompanive të grumbullimit të tij. 

Balla u zotua se do të garantojnë grumbullimin e prodhimit përmes konkurrencës së ndershme ndërmjet operatorëve. Askush nuk do të luajë më me mundin dhe djersën e fermerëve të duhanit në qarkun e Elbasanit.

“Arsyeja pse unë thirra këtë takim këtu, në magazinat e kësaj kompanie, është pikërisht besimi që unë kam, që një monopol ka marrë më qafë industrinë e duhanit në një prej zonave më të rëndësishme në Shqipëri, nuk gaboj të them kryeqytetin, kryeqendrën e kultivimit të duhanit në Shqipëri, zonën e Elbasanit e cila ka Belshin, Cërrikun, Bradasheshin, Paprin, Funarin, Labinotin, Librazhdin, të gjitha këto zona. Bujqësia duhet të ketë prioritet kultivimin e duhanit”- tha Balla.

"Një prej problemeve më të mëdha, -vijoi më tej Balla, - që është ngritur nga fermerët në takimet që kam pasur, është mungesa e mbështetjes nga ana e shtetit për kultivimin e kulturës bujqësore të duhanit dhe më e rëndësishme se kaq, garantimi i tregut.

"Ka shumë prej jush që edhe prodhimin e vjetshëm ende e kanë pa shitur; por ka qindra prej jush që prodhimin e kanë shitur, por paratë nuk i kanë marrë.

Unë dua t’ju them sot, se unë bashkë me kolegët e tjerë do të ndërmarrim iniciativa ligjore e vendimarrëse që kulturën bujqësore të duhanit, sipas një modeli tashmë të konsoliduar të vendeve të ngjashme me Shqipërinë, ku modeli kroat është edhe më i miri, ta shndërrojmë në një prej kulturave bujqësore më të rëndësishme të bujqësisë shqiptare.

Është e vërtetë që duhani i bën dëm shëndetit, por kjo nuk mund të na ndalojë ne që këtë kulturë bujqësore ta subvencionojmë”
- tha Balla.

Më tej, gjatë fjalës së tij deputeti Balla theksoi se nuk arritën që në 4 vitet e para të qeverisjes të bënin gjithçka donin në sektorin e bujqësisë.

“Ne arritëm të fusim plot 225.000 hektarë tokë nën ujë këto 4 vite, por kemi ende shumë për të bërë kur flasim për subvencionet. Dua t'ju them se në 4 vitet e ardhshme do të investojmë plot 232 mln dollarë në bujqësi.

Të gjithë prodhuesit e duhanit në qarkun e Elbasanit dua t’i garantoj se ne do të mbështesim bashkëpunimin midis fermerëve dhe kompanive serioze, por jo si ajo kompania që ka kaq vite që tallet me mundin e djersën, e monopoli ka shkaktuar një shpërdorim, një pezmatim të fermerëve, të cilët thonë  ‘ç’të mbjell më duhan kur ajo ma merr nën kosto, nuk paguan lekët, abuzon me çmimin, shkel kontratat’.

Kam besim që kjo kompani serioze sot u bë mikpritësi i një marrëveshjeje ndërmjet tre palëve: fshatarët nga njëra anë që mbjellin duhan, një kompani nga krahu tjetër dhe përfaqësuesit e shtetit dhe të parlamentit. Duhet të jeni të sigurt se ne nuk do të reshtim së marri të gjitha iniciativat ligjore për ta rregulluar këtë strukturë, këtë sektor kaq të rëndësishëm”
 - theksoi Balla.

Më tej, Balla, duke folur për mungesën totale të vëmendjes së Ministrisë së Bujqësisë ndaj kulturës së duhanit, nënvizoi faktin se: “Në çdo fshat të Paprit, Bradasheshit, Belshit, Funarit e kudo nuk ka pasur një takim të vetëm që një banor të mos ngrihet i revoltuar me të drejtë kundër Ministrisë së Bujqësisë, për mungesën e një kujdesi të veçantë për këtë kulturë bujqësore” - tha ai.

Gjithashtu Balla falenderoi në mënyrë të veçantë kompaninë “Seke”, për disponibilitetin e thyerjen e këtij monopoli që shkatërroi sektorin e bujqësisë. “Dua t’i them gjithashtu që ne nuk jemi në krahun e kompanisë, por jemi në krahun e fshatarëve dhe duam që të nxisim bashkëpunimin e sinqertë e të sigurt për të rilindur sektorin e prodhimit të duhanit në Elbasan. E në modelin e Elbasanit le të bëhen të gjithë qarqet e Shqipërisë, sepse struktura gjeologjike e tokave, në përgjithësi në Shqipëri, është një prej më të mirave në Europë përsa i përket kultivimit të duhanit".

Në përfundim të fjalës së tij, Balla tha: “Le ta konsiderojmë këtë si një angazhim solemn të deputetëve tuaj në legjislaturën e ardhshme, për të punuar në funksion të forcimit të bujqësisë në qarkun e Elbasanit.

Dhe forcimi i bujqësisë fillon nga një ndryshim tërësor i sjelljes së qeverisë përkundrejt kësaj kulture bujqësore që është shumë fitimprurëse. Nëse ne do të dimë ta bëjmë ashtu siç keni ju nevojë; nëse ne do ju garantojmë shitjen e plotë të prodhimit tuaj; nëse ne do t'ju garantojmë nga strukturat shtetërore fidanet; nëse ne do t’ju garantojmë, siç jemi zotuar në programin tonë për katër vjeçarin e ardhshëm, heqjen e TVSH-së për një pjesë të rëndësishme të plehrave kimike dhe pesticideve, unë jam shumë i sigurt që bujqësia do të bëhet më atraktive”,
përfundoi Balla.

Redaksia Online
J.Sh Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Media italiane ‘Tag24’: Cilat vende të vizitoni në Shqipëri për pushimet verore 2024

Media italiane ‘Tag24’: Cilat vende të vizitoni në Shqipëri për pushimet verore 2024