Janë ende të freskëta shenjat e përplasjes mes mjeteve në rrugën "Thoma Kalefi". Aksidentet në këtë segment janë të shpeshta.
Mungon totalisht sinjalistika rrugore, ndërsa kapërcimi i korsive përmes këtij kryqëzimi e shton më shumë rrezikun. Ankesat e banorëve të lagjes "Brigada 17" kanë rënë në vesh të shurdhët, ndaj janë ngritur në protestë për të sensibilizuar bashkinë dhe policinë rrugore.
“Kjo rrugë është shumë e rrezikshme, pasi në çdo moment brenda një muaji mund të ndodhin 10 aksidente. Policisë rrugore i është bërë ankesë”, shprehet një banor i lagjes.
“Këto janë të papërgjegjshëm dhe shoferët, hyjnë e shohin kthesë dhe hyjnë, Jo, vetëm fëmijët por edhe ne ndihemi të rrezikuar kalojmë me biçikletë, kalojmë në këmbë. Këtu në darkë kalojnë me një shpejtësi skëterrë, kemi gjithë ato ankesa po asnjë masë nuk është marrë deri tani”, thotë një qytetar tjetër.
Përmes kësaj rruge kalojnë çdo ditë edhe fëmijët që frekuentojnë shkollën.
“Këtu ka shkolla afër, shpesh herë fëmijët e kalojnë rrugën. Këtu është bërë si gara shpejtësi, jo si rrugë urbane”, thotë një tjetër banor i lagjes.
Banorët e lagjes “Brigada 17” kërkojnë marrjen e masave urgjente, pasi vetëm dy ditë më parë një 22 vjeçar mbeti i plagosur rëndë në këtë kryqëzim.