Një inspektor i Bashkisë Elbasan është arrestuar pasi në banesën e tij u gjetën municione luftarake, armë e kallashnikov, të cilat dyshohen nga policia se janë përdorur në ngjarje kriminale, megjithatë këtë dyshim do e vërtetojë ekspertiza. Në pranga përfundoi  44-vjeçari Gentian Duka,   banues në lagjen “Visarion Xhuvani”  Elbasan.

Gjatë operacionit “Kral”, në banesën e 44-vjeçarit u gjetën një armë zjarri kallashnikov, një pushkë sportive me dylbi, rreth 500 copë fishekë  luftarak për pistoletë, kallashnikov e mitraloz, një përforcues grushti, një thikë dhe 7 karikatorë, të cilat u sekuestruan nga policia, ndërsa armët do të çohen për ekspertim nëse janë përdorur apo jo në ngjarje të ndryshme kriminale në Elbasan por edhe në vend.

Gjithashtu është ende e paqartë nëse i arrestuari është i implikuar në ngjarje  kriminale të ndodhura më parë.

Materialet  i kaluan për veprime të mëtejshme hetimore  Prokurorisë pranë Rrethit Gjyqësor Elbasan për veprat penale "Mbajtja pa leje dhe  prodhimi i armëve,  armëve shpërthyese dhe i municionit" dhe "Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta".

 

Gentian Duka