Elbasan - Policia ka zbardhur ngjarjen e 5 nëntorit në lagjen “28 Nëntori”, ku iu vendos tritol makines ne pronesi te Alba Duhanxhi, punonjese e bashkisë së Elbasanit.
Në kuadër të operacionit policor të koduar “Porosia”, është ndaluar 43-vjeçari Ervis Tivari, banues në Durrës. Ai dyshohet se ka siguruar automjetin e përdorur për kryerjen e krimit.
Ndërkohë, janë shpallur në kërkim tre persona të tjerë, dy prej tyre nga Elbasani.
Sipas hetimeve paraprake, katër personat dyshohet se kanë bashkëpunuar për organizimin dhe realizimin e vendosjes së lëndës plasëse në automjet.
Njoftimi i policisë
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan, në vijim të veprimeve intensive hetimore për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur më datë 05.11.2026, rreth orës 02:00, në lagjen “28 Nëntori”, ku u dëmtua me lëndë plasëse automjeti në pronësi të shtetases A. D., organizuan dhe finalizuan, në bashkëpunim me strukturat e DVP Durrës, operacionin policor të koduar “Porosia”.
Si rezultat i veprimeve të thelluara hetimore, deklarimeve të marra dhe këqyrjes së pamjeve filmike, u bë i mundur dokumentimi me prova ligjore i ngjarjes dhe ndalimi i shtetasit:
E. T., 43 vjeç, banues në Durrës (i cili dyshohet se ka siguruar automjetin e përdorur për kryerjen e ngjarjes).
Gjithashtu, u shpallën në kërkim policor shtetasit:
O. E., 36 vjeç; M. A., 33 vjeç, të dy banues në Elbasan; dhe B. N., 17 vjeç, banues në Durrës.
Nga hetimet dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë organizuar dhe realizuar vendosjen e lëndës plasëse në automjetin në pronësi të shtetases A. D..
Në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon puna për kapjen e personave të shpallur në kërkim dhe identifikimin e personave të tjerë të mundshëm të përfshirë në këtë ngjarje.
Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”, kryer në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë










Komente
Komento