Elbasan- Insitucioni i paraburgimit, me standarde bashkëkohore


ELBASAN, 20 Mars /ATSH-Miranda Sadiku/.- Në institucionin e Paraburgimit në Bradashesh të Elbasanit është organizuar analiza vjetore e punës së këtij institucioni, ku ka marrë pjesë edhe Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Artur Zoto, drejtues të gjykatës, prokurorisë, institucioneve të tjera dhe Policisë.
Në fjalën e tij, Zoto pasi ka vlerësuar infrastrukturën si edhe kushtet e këtij institucioni ndërtuar rreth katër vite më parë, deklaroi se "ky institucion ka arritur një sërë standartesh jo vetëm nga shërbimi, por edhe nga infrastruktura, aktivitetet sociale, integruese dhe rehabilituese, por ka vetëm një problem, punësimi. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka në misionin e vet rehabilitimin dhe integrimin e të dënuarve, punësimi dhe studimet e kryera para disa kohësh që bëmë me Kombet e Bashkuara në Vjenë ka treguar se punësimi ka një element shumë të madh në rritjen e procesit të integrimit dhe rehabilitimit", tha Zoto.
Duke ju referuar mjediseve dhe kushteve që ka ky institucion, ai u ka kërkuar të pranishmëve që të punojnë të identifikojnë praktikat për të aplikuar drejt këtij modeli. "Në funksion të këtij procesi janë të lidhura edhe aktivitete të tjera si kulturore, sociale, rehabilituese dhe integruese. Ky institucion në Elbasan ka bërë një progres shumë të rëndësishëm, nuk diskutohet që krijimi i standarteve, garantimi i të drejtave dhe respektimi i të drejtave të kësaj kategorie përbën një prioritet të punës sonë, por kjo përbën një angazhim edhe nga stafi i këtij institucioni. Komunikimi me këtë kategori njerëzish të ngelet në standarte të kënaqshme, edhe pse ne jemi të kënaqur me shërbimin që kryhet këtu si edhe me mjediset, dhe mund të themi se jemi në nivele shumë të kënaqshme".
Institucioni i paraburgimit në Elbasan ka një kapacitet prej 226 të paraburgosurish ku aktualisht ndodhen 126, 20 për qind e të paraburgosurve per veprën penale të vjedhjes, 12 për qind për lëndë narkotike, 11 për qind kundër dhunës në familje, 4 për qind per vjedhje të energjisë elektrike etj.
Nga statistikat vihet re një ulje e krimit në qarkun e Elbasanit gjatë dy viteve të fundit. /a.ke/
 
 

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 6 Janar, 20:03

    Si iu duket trafiku rrugor në Shqipëri?



×

Lajmi i fundit

Rama pret rabinin izraelit në Vlorë: Së shpejti nisim punën për ndërtimin e muzeut hebraik