Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini, priti sot në një takim këshilltaret e Komunës së Mitrovicës, që zhvilluan një vizitë në qytetin e Elbasanit në kuadër të shkëmbimit të pervojave me këshilltarët e Këshillit Bashkiak të Elbasanit.
Pasi i njohu me qytetin dhe historinë e tij, Sejdini vuri në dukje një nga ndryshimet e rëndësishme për përfaqësimin e gruas 50 % në Këshillat Bashkiakë. Sipas tij, tashmë këshilltarët nuk do të jenë pjesë e administratës, apo në poste drejtuese, çka sipas tij do t'i japë edhe më shumë hapësirë shoqërisë civile.
Organizatorja e këtij takimi, Vetone Veliu, drejtoreshë e Bashkësisë së Grave në Komunën e Mitrovicës, u shpreh se eksperiencat e Bashkisë së Elbasanit kishin bërë që ajo të zgjidhte këtë qytet për të mësuar më shumë. Sipas saj, "Buxhetimi Gjinor", një projekt i zbatuar nga Bashkia e Elbasanit, është një mundësi shumë e mirë që mund të zbatohet edhe në Komunën e Mitrovicës. Gjithashtu, Veliu tha se përfaqësimi i grave në masën 50% në Këshillat Bashkiakë do të ishte mirë të zbatohej edhe në Kosovë. /atsh/