ELBASAN – Një ngjarje e rëndë është shënuar në fshatin Mlizë të Elbasanit, ku një 39-vjeçar është mbytur në përrua. Ilia Tahiri dyshohet se ka qenë në gjendje të dehur kur ka rënë aksidentalisht në përrua.

Kërkimet janë kryer gjatë gjithë natës për gjetjen e trupit, i cili u gjet këtë mëngjes nga ekipet zjarrfikëse dhe ato të emergjencave të Elbasanit. Kanë qenë familjarët që kanë denoncuar në polici se nuk kanë kontakte me 39-vjeçarin dhe më pas kanë nisur kontrollet për gjetjen e tij. Ai u gjet në fshatin Kryezjarr. 

"Më datë 26.11.2025, rreth orës 20:00, kanë kallëzuar familjarët e shtetasit I. T., 39 vjeç, se ai është larguar nga banesa dje, rreth orës 13:00.  Menjëherë pas kallëzimit, shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontrolle të pandërprera për gjetjen e 39-vjeçarit. Gjatë kontrolleve në fshatin Kryezjarr, u gjet në një përrua, trupi i pajetë i shtetasit I. T.   Nga veprimet e para hetimore dyshohet se 39-vjeçari ka rënë aksidentalisht në përrua dhe për pasojë është mbytur.  Grupi hetimor vijon punën për dokumentimin e rrethanave të rastit.", njofton policia.