E njohur për fjalimin e saj mbresëlënës në Kuvendin e Shqipërisë, i cili tërhoqi vëmendjen e opinionit publik në mbarë vendin, Ambra Alimeta vjen tashmë para lexuesve me librin e saj të dytë.

Ndonëse vetëm 13 vjeçe, nxënësja e shkollës 9-vjeçare “Abdyl Paralloi” në Elbasan promovoi librin e saj të dytë, “Hapat drejt skenës”.

Libri përmbledh një novelë dhe poezi me tematika të ndryshme. Përmes novelës, Ambra sjell përjetime personale të rrëfyera në vetën e tretë, ndërsa poezitë prekin tema si familja, dashuria për gjyshen dhe jeta.

“Unë e kam përshkruar që aty flas për hapat që vetë personazhi bën duke hyrë në skenë sepse çdo ndjesi që ai ka, sheshohet dhe nuk vazhdon te skena. Skena bëhet njësh me të dhe çdo projektim ia vlen”, thotë 13-vjeçarja.

Mësuesi i saj, Klevis Balliu, i cili evidentoi herët talentin e Ambrës, shprehu bindjen se rrugëtimi i saj në letërsi sapo ka nisur.

“Ne shpresojmë shumë që Ambra të ecë përpara dhe me mbështetjen sa kemi ne mundësi, e realizuam librin për Ambrën dhe themi që kemi arritur diçka shumë të bukur”, shprehet mësuesi.

Promovimi i librit u zhvillua në një atmosferë të ngrohtë mes familjarëve, miqve dhe mbështetësve, ku nuk munguan autografët, përqafimet dhe mesazhet inkurajuese.