Elbasan- Një 33-vjeçar ka rënë në prangat e policisë së Elbasanit pas një konflikti.
Një ditë më parë i riu plagosi me thikë një 52-vjeçar në lagjen “Vullnetari”.
Ky i fundit fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
I arrestuari, me precedent penal për vjedhje akuzohet për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
"Menjëherë pas marrjes së njoftimit se në lagjen “Vullnetari”, një shtetas ishte plagosur me mjet prerës (thikë), shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan organizuan punën dhe shkuan në vendngjarje. Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe operacionale, u bë i mundur identifikimi dhe kapja e autorit të dyshuar të plagosjes, shtetasit:
-B. S., 33 vjeç, banues në Elbasan.
Nga hetimet dyshohet se ky shtetas, dje, në lagjen “Vullnetari”, gjatë një konflikti për motive të dobëta, me shtetasin S. D., 52 vjeç, e ka goditur atë, me mjet prerës (thikë).
52-vjeçari është në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën", informoi sot policia.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
Komente











