Nisja e punimeve të impiantit modern të përpunimit të mbetjeve urbane, cilësohet nga kreu i bashkisëse Elbasanit, Qazim Sejdini, si një sfidë e tij në rradhë të parë si qytetar elbasanas. Gjatë një interviste dhënë për ATSH-ne, Sejdini shprehet ndër të tjera se tashmë pas 12 vitesh përpjekje Elbasani do të ketë një impiant modern, duke zhdukur kështu një herë e përgjithnjë ndotjen e shkaktuar nga djegia e plehrave në fushën e grumbullimit të plehrave shumë pranë varrezave publike.
 "Qeveria shqiptare  si dhe kryeministri Edi Rama i dhanë Elbasanit atë që i mungonte prej shumë vitesh dhe që ishte një domosdoshmëri për shëndetin e qytetarëve. Ky impiant është fjala e fundit e teknologjisë dhe që aplikohet për herë të parë në qytetin e Elbasanit. Nga djegia e mbeturinave do të prodhohet energji elektrike, por më e rëndësishmja për qytetarët e Elbasanit është fakti që pas 14 muajsh nuk do të thithin më ajër të ndotur. Kjo është një arritje shumë e madhe, nën kujdesin e veçantë të qeverisë", thotë Sejdini.
Duke mos u ndalur në detaje teknike të ndërtimit të këtij impianti, Sejdini shtoi se "ky impiant do të gjenerojë vende pune, ndërsa me forcë  dua të theksoj rëndësinë më të madhe të tij, atë të pastrimit të ajrit kancerogjen që shkaktonte fusha e vjetër e grumbullimit. Ndjehem i lumtur, pasi kjo ka qenë sfida ime, jo si kryetar Bashkie, por si qytetar i Elbasanit. Dhe dua të falenderoj të gjitha ata që lobuan me mua në këto vite, sidomos Këshillin Bashkiak. Falenderoj kryeministrin Edi Rama, i cili premtoi gjatë fushatës zgjidhjen e këtij problemi dhe e mbajti premtimin e tij".

Trajtimi i mbetjeve urbane do të bëjë të mundur emetimin e gazrave sipas standarteve të BE-së, me një fuqi energjie të prodhuar 2.85 kw. Do të jetë një landfill sipas standarteve të BE -së për çdo lloj mbetjesh urbane dhe industriale përveç mbetjeve raioaktive. Aktualisht, është duke u punuar për sheshin në të cilin do të grumbullohen paraprakisht mbetjet. Ky shesh pritet të jetë gati në verën e këtij viti, çka do të thotë që në fushën e vjetër nuk do të grumbullohen më mbetje. Trajtimi i mbetjeve urbane në qarkun e Elbasanit është një investim prej 21.661.000 lekë, me investitor Albtek Energy sh.p.k.

"Ne jemi në pritje të një fondi tjetër nga qeveria shqiptare për mbylljen e fushës së vjetër të grumbullimit të mbetjeve. Po ashtu, një tjetër projekt me rëndësi është ai i trajtimit të ujërave të zeza të cilat kanë 24 grykëderdhje në lumin Shkumbin duke e bërë atë lumin më të ndotur në vend. Jemi në pritje të investimeve dhe punëve të mëdha për qytetin e Elbasanit", përfundoi Sejdini. /ATSH/