ELBASAN- Panik në Komisariatin e Elbasanit. Një 34-vjeçar pasi ka goditur një automjet në rrugë, ka shkatërruar derën e komisariatit dhe ka kërcënuar me pistoletë me gaz policët. Report Tv ka siguruar videon ku shfaqet momenti kur i riu mësyn me makinë derën e Drejtorisë së Policisë Elbasan duke goditur një makinë që kishte para dhe se rrezikuar jetën e një kalimtari.

Bëhet fjalë për 34 vjeçarin e identifikuar si Bledar Lazareni. Mësohet se Lazareni, pasi ka hyrë në oborr, ka dalë nga mjeti i tij tip “Toyota” me një pistoletë me gaz në dorë, duke bërë lëvizje të pakontrolluara. Pavarësisht thirrjeve të policisë, 34-vjeçari nuk u është bindur urdhrit të efektivëve duke bërë që ata të ndërhyjnë dhe ta neutralizojnë disa minuta më vonë. Sipas gazetarit Arsen Rusta, e gjitha ishte një hakmarrje nga i riu, pasi disa ditë më parë ai është shoqërua në polici pa kartë identiteti, dhe është shprehur se është trajtuar keq nga policët.

Bledar Lazareni

"Rreth orës 11:00, shtetasi B. L., 34 vjeç, banues në Elbasan, dyshohet në gjendje të rënduar psikologjike, duke drejtuar mjetin tip “Toyota”, ka goditur portën hyrëse të DVP Elbasan dhe ka hyrë në oborrin e DVP-së, duke mos iu bindur urdhrit për të ndaluar të dhënë nga punonjësi i Policisë që kryente shërbim në hyrje të DVP-së. Ky shtetas, pasi ka hyrë në oborr, ka dalë nga mjeti me një pistoletë me gaz në dorë, duke bërë lëvizje të pakontrolluara, por është neutralizuar dhe prangosur menjëherë nga shërbimet e Policisë. Specialistët për Hetimin e Krimit dhe grupi hetimor po vijojnë veprimet për sqarimin e rrethanave të ngjarjes", njofton policia.

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:24
Video ekskluzive/ Momenti kur i riu mësyn me makinë derën e Drejtorisë së Policisë Elbasan

Gazetari i Report Tv, Merin Maçi  ka siguruar videon e momentit, ku 34-vjeçari Bledar Lazareni mësyn me makinë në Drejtorinë e Policisë Elbasan duke shkatërruar derën e komisariatit.

Në video dallohet momenti kur makina e bardhë tip “Toyota” më targë AA 932 BT shton shpejtësi për të hyrë në Drejtorin e Policisë Elbasan duke goditur një makinë që kishte para dhe rrezikuar edhe një kalimtarë.