Tregu ushqimor në Elbasan nuk plotëson asnjë kusht higjieno-sanitar. Tregtarët e bulmetit tregtojnë në rrugë, ku ekspozimi në diell dhe pluhur gjatë verës nuk garanton aspak konsumatorët.
AKU dy vite me parë, pasi inspektoi kushtet në këtë treg që shitej vetëm bulmet, mori vendimin për ta mbyllur për shkak të mungesës se kushteve higjeno-sanitare.
Nga ana e Bashkisë së Elbasanit, tregtareve iu premtua investim në godinë dhe në gjithë sistemin e saj. Jashtë kamerës tregtarët shprehen se prej dy vitesh janë detyruar të tregtojnë në këtë mënyrë edhe pse pranojnë faktin se nuk është aspak e përshtatshme, por në mungesë të kushteve ideale ata detyrohen të zgjedhin një rrugë të tillë.
Qytetaret elbasanas lidhur me këtë situate shprehen se nuk kanë siguri në ushqime dhe përgjegjësinë kryesore për tregtimet në rrugë e ka bashkia.
Të interesuar pranë Bashkisë Elbasan në lidhje me këtë situatë, këta të fundit shprehen se do të merren masa për sistemimin e tregtarëve, por gjithçka është akoma në projekt letre e për zgjidhje përfundimtare elbasanasit nuk dihet se sa kohë do të presin.