Elbasan - Dy kazake kanë rënë në prangat e policisë së Elbasanit për prostitucion.

Të huajat e ushtronin këtë veprimtari në dy apartamente që kishin marrë me qira.

Ndërkohë në gjendje të lirë do të hetohet pronarja e apartamenteve, 39-vjeçe.

Gjatë kontrollit blutë sekuestruan shuma parash të valutave të ndryshme, dokumente identifikimi dhe celularë.   

Njoftimi i policisë:

Seksioni për Hetimin e Trafiqeve i DVP Elbasan, në bashkëpunim me Seksionin për Mbështetjen Operacionale të Hetimit, si rezultat i hetimeve intensive të kryera me metoda proaktive, në drejtimin e Prokurorisë, finalizuan me sukses operacionin e koduar “Rented”.

 Nga hetimet u zbulua se 2 shtetase nga Kazakistani kishin marrë me qira dy apartamente në qytetin e Elbasanit, me qëllim ushtrimin e prostitucionit.

 Në vijim të veprimeve, u arrestuan në flagrancë shtetaset Z. M., 37 vjeçe, dhe N. S., 38 vjeçe, të dyja banuese në Kazakistan, për veprën penale “Prostitucioni”. 

Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për pronaren e dy apartamenteve, shtetasen M. C., 39 vjeçe, banuese në Elbasan, për veprën penale “Mbajtja e ambienteve për prostitucion”.  

Gjatë kontrolleve këto dy ambiente u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale shuma parash të valutave të ndryshme, të dyshuara të përfituara nga kjo veprimtari, celularë dhe dokumente të ndryshme. 

Në drejtimin e Prokurorisë vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie dhe për identifikimin e shtetasve të tjerë që mund të jenë të përfshirë.   

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.