114 vite më parë, 35 patriotë nga Elbasani shpallën pavarësinë e qytetit.
Politika e kremtoi e ndarë festën. Në fillim kryen homazhe socialistët pranë bustit të patriotit Aqif Pasha, ku kryebashkiaku vlerësoi kontributin e figurave historike.
"Është ditë krenarie, nderojmë figurat që i dhanë lavdi qytetit. Në vitin 1912 Shqipëria ishte në një moment të vështirë. E ardhmja e trojeve ishte në rrezik. Elbasani u bë i pari i pavarësisë. Aqif Pashë Elbasani ngriti flamurin kombëtar. Akt dëshmi se Elbasani merrte përgjegjësitë”, tha Gledian Llatja.
Një orë më pas, demokratët vendosen kurora me lule pranë bustit të patriotit Aqif Pasha si dhe tek memoriali kushtuar ish-të përndjekurve.
Demokrati Tomor Alizoti, përcolli mesazhe politike, duke mos lënë jashtë vemendjes përjashtimin e Elisa Spiropalit nga grupi parlamentar i PS-së.
"Një pjesë e madhe e atdhetarëve në kohën e komunizmit janë burgosur e vrarë nga Partia e Punës, partia nënë e PS. Partia e Punës vrau ajkën e kombit. Një pjesë e madhe këtu ishin bejlerë. Kjo parti sot do asgjësojnë njëri-tjetrin. Partia bijë e Partisë së Punës, gjyshërit e tyre kanë vrarë këta patriotë. Nëse Elbasani sot ka horra, në të shkuarën ka pasur bejlerë. Shpresojmë të ndalojë llumi në këtë vend", u shpreh Alizoti.
Shpallja e Pavarësisë së Elbasanit më 25 nëntor dëshmon kontributin e patriotëve elbasanas në rrugëtimin drejt Pavarësisë së Shqipërisë, duke i paraprirë ngritjes së flamurit kombëtar në Vlorë, më 28 nëntor 1912.









Komente
Komento