TIRANË, 17 Shkurt / ATSH - Përgatitjet për Festivalin Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës kanë hyrë në një fazë të re dhe në të 12 qarqet e vendit, pas ekspeditave dhe hulumtimeve në terren, janë përcaktuar datat e organizimit të koncerteve folklorike zonale në nivel komune, bashkie dhe rrethi sipas zonave etnografike.
Edhe në qarkun e Elbasanit prej pothuajse një muaji kanë vijuar audicionet përzgjedhëse të grupeve dhe valltarëve që përfaqësojnë rrethet e këtij qarku.
Ndërkohë që bëhet e ditur se grupi që do të përfaqësojë Elbasanin, do të prezantojë në Gjirokastër edhe vlerat e kësaj treve, traditat e trashëguara ndër breza, por edhe kostumet e zonës.
Sipas drejtorit të ansamblit të valleve dhe këngëve popullore, Sulejman Balza rrethi i Librazhdit dhe Belshi janë ndër zonat me folklor më të pasur.
"Grupet do të përformojnë në sallen e teatrit Skampa, dhe fituesi do të përzgjidhet nga një juri prej 13 anetaresh" është shprehur përveç të tjerash drejtori Balza.
Festivali Folklorik Kombëtar do të mbahet në kalanë dhe Qendrën Historike të qytetit muze të Gjirokastrës, në datat 4-9 prill.
/k.m/f.n/







