TIRANË- Jo më larg se të enjten një shtëpi bari u zbulua në Kurbin. Në pranga përvec kultivuesit ishte edhe një punonjës i OSHEE. Ky nuk është rasti i vetëm i implikimit të elektricistëve në ambientet ku përgatitet kanabisi.

Nga 1 janari deri në 15 mars janë arrestuar për shpërdorim detyre 15 punonjës të OSHEE-së dhe 10 policë. Ata ose nuk kanë konstatuar vjedhjen e energjisë që iu duhet këtyre laboratorëve, ose janë bashkëpunëtorë me kultivuesit e drogës.

Kryepolici Gledis Nano ka shpallur 2022-shin vitin e sfidës kundër fenomenit. Pak kohë më parë, nga Vlora, Nano, përveç të vetëve, i tërhoqi vëmendjen OSHEE-së.

 “Po përballemi me shtëpi ku kultivohet kanabis me llamba, dhe OSHEE nuk ka asnjë raport për këtë. Nuk jam këtu për t’ju shantazhuar, por duhet ushtruar kontroll me OSHEE. Nga të gjithë institucionet, Policia e Shtetit e ka paguar më shtrenjtë. Vjet humbëm një efektiv policie, i cili u vra në krye të detyrës”, tha Nano nga Vlora në 22 shkurt.

Një deklaratë të ngjashme Nano e ripërsëriti edhe disa kohë më vonë nga Kruja.

“Në vijim do të kërkoja me tepër angazhim nga institucionet e tjera ligjzbatuese, edhe OSHEE ka një rol të rëndësishëm. Kryepleqtë kanë sy e vesh dhe marrin vesh se çfarë ndodh në territor. Policët absolutisht nuk do të tolerohen”, deklaroi Nano në Krujë në 10 mars.

Report Tv kërkoi zyrtarisht informacion pranë OSHEE-së mbi deklaratat e Nanos, por institucioni nuk u përgjigj. Drejtori Ardian Çela përmendi fenomenin shkarazi në një mbledhje të Komitetit të Energjisë.

 “Kemi konstatuar edhe raste të përdorimit të energjisë elektrike për aktivitete jo të ligjshme siç janë bimët narkotike apo kriptomonedha, të cilat kanë qenë vetë të denoncuar nga punonjnësit e OSHEE”, tha Çela, në 23 mars.

Për ekspertin e sigurisë Fatjon Softa, institucionet duhet të bashkëpunojnë për të pasur rezultate.

 “Ka dy elementë krimi, bashkëpunëtorë që fshehin faturimin dhe nuk kallëzojnë krimin për shtëpitë e barit që shpenzojnë energji të madhe. Ndoshta duhet të kemi certifikatë sigurie edhe për këta punonjës”, vijon Softa.

Por aq është dhe numri i punonjësve të policisë, të implikuar si elektricistët në shtëpitë e barit. Duket si një bashkëpunim mes tyre edhe pse në të shumtën e rasteve zyrtarët janë lehtësuar në akuza, me pretendimin se nuk kanë patur informacion.

 “Ka dy kategori punonjës policie, me nivel të ulët page dhe të devotshëm dhe policë që edhe pa ta kenë më të lartë nuk janë të devotshëm sepse kanë ardhur për t’u pasuruar. Janë të thyeshëm dhe vijnë duke e parë këtë si një efekt për t’u pasuruar më shpejtë se sa rroga”, përfundon eksperti Fatjon Softa.

Policët e zonave, punonjësit e OSHEE-së dhe kryepleqtë e fshatrave përbëjnë strukturën kryesore në luftën kundër laboratorëve të drogës, por nuk duket se ka një angazhim serioz në këtë çështje.