Eleni, Avokatet e Ilias: Policia
presion mbi të dashurën e tij

TIRANE- Kur kanë mbushur 2 muaj nga vrasja e laburantes Eleni Basho dhe 1 muaj nga arrestimi i bashkëshortit të saj Ilia Basho, si organizator i vrasjes, avokatët kanë thyer heshtjen duke sqaruar pozicionin e klientit të tyre në ngjarjen që tronditi mbarë opinionin publik vendas.

Lazer Sokoli dhe Edmond Dema, në një intervistë për gazetën “Shqiptarja.com” tregojnë se klienti i tyre është i pafajshëm dhe se arrestimi i tij, është bërë vetëm për të forcuar pozitat e drejtorit të sapo emëruar z. Bernard Çaushaj.

Avokatët, tregojnë se SMS e administruara në dosje nuk mund të konsiderohen si prova për të bindur gjykatën se Ilia Basho është autor i vrasjes së gruas së tij. Ata shtojnë se klienti i tyre është i pafajshëm, duke argumentuar SMS se ato janë dërguar në një momement kur Ilia Basho, ka qënë në gjëndje të dehur dhe i tronditur psikologjikisht nga martesa.

Sipas tyre Ilia ska pasur as shkak për të bërë vrasjen e gruas së tij. Ndërkohë që i konsiderojnë veprimet e policisë si jo profesionale dhe çnjerëzore, për shkak të presioneve të vashdueshme të bëra ndaj dëshmitarëve, dhe konkretisht të dashurës së Ilias, shtetases Yllka Shehaj. Sipas tyre, thëniet e Yllka Shehajt janë marrë në orën 03:30 të mëngjesit, në ambjente jo të përshtatshme për tu pyetur si dhe nën ndikimin e presionin psikologjik dhe jo vetëm.

Së pari dua tju pyes nëse dëshironi të prononcoheni lidhur me çështjen në ngarkim të Ilia Bashos, pasi deri tani as nga familjaret e tij dhe as nga ju si mbrojtës nuk keni pasur një reagim rreth pozicionit të klientit tuaj në këtë çështje?
Realisht nuk jemi konsultuar as me klientin tonë dhe as me familjarët e tij nëse ata do të dëshironin të flisnim në shtyp për këtë çështje, por duke parë që nga shumë media është abuzuar me të vërtetat e çështjes në fjalë, mendojmë se është në interesin e klientit tonë të hidhet pak më tepër dritë mbi këtë ngjarje. Të sqarohet nga këndvështrimi i provueshmërisë pozicioni dhe roli i Ilia Bashos në krimin e ndodhur dhe akoma më tepër të tregojmë nëse ka marrë pjesë vërtet ky shtetas në kryerjen e këtij krimi, apo organi i hetimit është gjendur në një boshllëk pistash hetimore për ngjarjen dhe me dëshpërim është kapur fort pas tij, për shkakun e vetëm se ka zbuluar të dhëna për një tradhëti bashkëshortore të kryer prej tij.
Ilia Basho është i dyshuar për vrasjen e gruas së tij Eleni Basho. Realisht a ka pasur mes tyre një konflikt të tille që ta çonte Ilian në kryerjen e krimit të vrasjes?
Kësaj pyetje me mirë se kushdo i kanë dhënë përgjigje deklarimet e marra disa ditë pas ngjarjes nga policia e njerëzve më të afërt të viktimës, babait të saj, vëllait dhe motrës së saj, të cilët në asnjë rast nuk kanë pasur si të dyshuar dhëndrrin e tyre për ngjarjen e ndodhur, megjithëse kanë qënë në dijeni se mes çiftit Basho, jo gjithçka shkonte në rregull. Pra ishin në dijeni të një ftohjeje në mardhënjet martesore të motrës së tyre dhe Ilias, por ato janë konsideruar prej tyre si jo të rënda, dhe sigurisht jo aq të rënda sa të çonin në kryerjen e një krimi të tillë.
Prokuroria pretendon se ka prova bindëse se Ilia Basho është organizatori i vrasjes së gruas së tij, Elenit? Ju jeni në dijeni se cilat janë këto prova të pretenduara?
Ne nuk e kemi dëgjuar këtë pretendim nga ana e organit të akuzës. Jemi në dijeni për faktin se ata dyshojnë që shtetasi Ilia Basho ka kryer rolin e organizatorit në vrasje, dhe ka qënë pikërisht ky dyshim që i ka detyruar përfaqësuesit e atij organi të kërkojnë nga gjykata vendosjen ndaj tij të masës së sigurimit të arrestit në burg. Për sa i përket pretendimeve nëse ata i kanë të bazuara apo jo në prova dyshimet e tyre, po ndiqen nga ana jonë rrugët ligjore proceduriale me mjetet e reagimit të mbrojtjes që kanë qënë apeli dhe rekursi për tu ankuar ndaj vendimit të gjykatës, për vendosje të kësaj mase sigurimi për këtë shtetas, pasi sipas nesh nuk ka asnjë provë të tillë që ta bëjnyshimin e tyre të arsyeshëm. Neni 228/1 K.Pr.Penale, kur përcakton se “Askush nuk mund t’u nënshtrohet masave të sigurimit personal në qoftë se në ngarkim të tij nuk ekziston një dyshim i arsyeshëm i bazuar në prova.” kërkon që “dyshimi i arsyeshëm i bazuar në prova” të ketë lidhje me veprime që përbëjnë veprën penale për të cilën dyshohet shtetasi. Për këtë shkak prokurori duhet të ketë prova që përmbajnë veprime të tilla të shtetasit Ilia Basho që kanë të bëjnë me nxitjen dhe organizimin e vrasjes së bashkëshortes, si dhe prova që duhet të tregojnë rrethana të nxitjes dhe organizimit. Këto prova që ju pretendoni se i ka Prokuroria nuk japin asnjë të dhënë se cilin ka nxitur dhe si e ka nxitur shtetasi Ilia Basho, kë ka organizuar dhe çfarë veprime organizimi ka kryer. Duke mos patur të dhëna të tilla, prokuroria ka vetëm hamëndësime të nxjerra jo nga prova por nga thashetheme.
Është folur në kanale policeske se në këtë ngjarje ka lidhje edhe babai i Ilias, Thanasi? Sa qëndrojnë këto zëra?
Në kanale policeske është folur gjithashtu se për shkak se nuk pati autor kjo ngjarje, u shkarkua nga detyra ish-Drejtori i Policisë së Tiranës, por ne nuk duam të besojmë se arrestimi i Ilias është bërë për të forcuar pozitat Drejtori i ri i Policisë që e zëvendësoi. Gjithmonë duhet një shkak për të përligjur një veprim. Të dyja familjet ajo e viktimës dhe e të dyshuarit bashkëjetonin në një harmoni të admirueshme. Me shtëpi të ndërtuara brenda të njëjtit oborr. Me dy fëmijë që po rriteshin në prani të katër gjyshërve. Me dy gjyshër që kanë marrdhënje shumë të mira mes njeri-tjetrit. Mund të na gjeni një shkak pse duhet të ishte i përfshirë edhe i jati i Ilias në këtë ngjarje. Këto janë teprimet që na bëjnë edhe më tepër të besojmë se po kështu është stisur edhe autorësia e Ilias me këtë çështje. Na vjen keq për ngarkesën psikologjike me të cilën detyrohen të përballen dy fëmijët e çiftit Basho pas kësaj ngjarje, të cilët mbeten jetimë nga një dorë kriminale që u vrau të jëmën dhe po pësojnë pasoja ndoshta të pariparueshme për shkak të mbajtjes në burg pa asnjë provë të të jatit, dhe që tani do tu duhet të përballen edhe me thashetheme të tilla të turpshme.
A keni pasur ju takim gjatë kësaj periudhe me shtetasen Yllka Shehu dhe nëse po çfarë ju ka deklaruar ajo?
Dimë vetëm që deklarimet e saj janë marrë njëherë në datën 06 shkurt 2012, ku ajo ka deponuar thjesht dijeninë e saj për rrethanat e ngjarjes, dhe duke qënë se thënjet e saj duhej të implikonin me patjetër të vetmin person të planifikuar për tu ndaluar si të dyshuar, Ilia Bashon, në datën 21 shkurt ajo është rithirrur për të deklaruar. Pasi është vënë nën presion psikologjik dhe kushedi se çfarë tjetër, ka nënshkruar deklarimet e saj përfundimtare në orën 03:30 të mëngjesit, në ambjentet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Nisur nga vendi ku janë marrë deklarimet, që janë ambjentet policore, kohën kur është pyetur, që përkon me orën 03:30 të vendosur në procesverbal, kuptohet vetvetiu vlera e përdorshmërisë së tyre dhe aq më tepër e besueshmërisë së tyrë.
Në media kanë dalë disa SMS që Ilia Basho i ka dërguar të dashurës së tij, SMS që sipas Prokurorisë kanë një kuptim të vetëm, pjesëmarrjes në vrasje. Si i keni argumentuar ato SMS përpara gjykatës?
Shpjegime rreth atyre SMS i arrestuari Ilia Basho ka dhënë edhe përpara organit procedues kur u mor në pyetje para disa ditësh. Për hir të së vërtetës duhet thënë se në media janë botuar edhe SMS të paqëna, trillime të kushedi kujt dhe për kushedi se çfarë, të cilat nuk gjenden të administruara në dosjen hetimore. Pavarësisht këtyre e vërteta është se ka SMS të cilat dërguesi i ka argumentuar qartësisht duke treguar se kanë pasur përmbajtje tërësisht private dhe ka treguar edhe kohën, vendin dhe shkakun pse i ka dërguar, duke hedhur poshtë aludimet keqdashëse të nxjerra prej tyre. Ne e kemi trajtuar edhe këtë fakt para gjykatave gjatë gjykimit për masën e sigurimit duke argumentuar se ai në mesazh i thotë të dashurës se unë o të marr o do vdes, prandaj kujdesu për fëmijët e mi po s’u bë kjo që dua unë. Dhe kjo përmbajtje ka një shpjegim të thjeshtë: personi nën hetim Ilia Basho, në gjendjen e tronditjes së martesës së tij dhe në një moment depresiv edhe për shkak të konsumimit të alkoolit, i thotë të dashurës se “nëse nuk realizon martesën e tij me të, ai do të vdes, i kërkon të ndihmojë fëmijët e tij për të cilët ai është një baba i shqetësuar dhe i tregon për disa lekë të fshehura në ambjentet e shtëpisë së tij.” Çfarë ka këtu për të fantazuar se ai po përgatitej që të vriste gruan e tij?
Për të gjitha këto çfarë thonë familjarët e viktimës? Keni pasur takim me ta?
Ne jemi mbrojtësa ligjorë të atij që hetohet, pra të shtetasit Ilia Basho. Ligji nuk na ndalon të marrim takim edhe me familjarët e viktimës, aq më tepër që ata janë në marrdhënje të posaçme me të mbrojturin prej nesh, por deri tani nuk kemi pasur kontakt. Gjithsesi nëpërmjet jush i shprehim ngushëllimet tona për humbjen e rëndë, duke i bërë thirrje për durim, pasi e vërteta rreth vrasjes së të dashurës së tyre një ditë do të zbulohet dhe fajtori do të marrë dënimin e merituar për krimin e kryer. Gjithashtu i themi të mos ndikohen nga mediat, pasi ato nuk janë gjithmonë reale në trajtimin e çështjes, por të presin me mendje të kthjellët vendimin e organeve të drejtësisë. Në këtë rast duhet të përmendim intensitetin e madh të informacionit që jepet në dy tre ditët para gjykimeve të kësaj çështjeje, duke ushtruar ndikim dhe presion të padrejtë mbi gjykatat dhe vendimet e tyre.
Momentalisht ku ndodhen femijët e çiftit Basho dhe a kanë shkuar ata për takim tek i ati në burg?
Fëmijët vazhdojnë të jetojnë pranë prindërve të Ilias në shtëpinë e tyre ku kanë jetuar gjithmonë. Takohen rregullisht me njerëzit e të jëmës, por në takim në burg nuk i kanë çuar për shkak të moshës së tyre, për ti ruajtur nga goditjet psikologjike që mund tu shkaktohen. Kanë komunikuar në telefon me të atin e tyre dhe janë në pritje të daljes së shpejtë të tij për ta pasur pranë.
Ju jani takuar me Ilian? Çfarë ju ka thënë ai?
Është detyra jonë të mbajmë kontakt të shpeshtë dhe të bisedojmë e diskutojmë për dyshimet e ngritura ndaj tij. Ilia nuk e ka kryer veprën penale për të cilën dyshohet. Nuk ka pasur as shkak për të bërë një veprim të tillë. Ai beson dhe shpreson që gjithçka do të sqarohet shpejt. Atë e vret ndërgjegjja, por jo për veprën që akuzohet se ka kryer. I vetmi faj i tij është moral, por është vetë ai që vendos nëse duhet ta publikojë apo jo atë.
Në rast se gjykata shpall të pafajshëm klientin tuaj, çfarë masa ligjore do merni ju si avokat më pas?
Përgjigjeja e kësaj pyetje është: Vërtet ju mediat çfarë do të thoni, cili është shërimi i gjithë kësaj traume ndaj femijëve, familjarëve dhe vetë klientit tonë, thjesht me një “të falur” do ta kaloni?

VRASJA E ELENI BASHOS 100 METRA PARA SHTËPISË
Në mbrëmjen e 2 shkurtit të këtij viti, teksa ishte duke u kthyer në banesën e saj, 100 metra pa hyrë në shtëpi 33 vjeçaria nëna e dy fëmijëve, është qëlluar dy herë me armë zjari duke mbetur e vdekur në vend. Atë mbrëmje Eleni Basho, sapo kishte komunikuar me fëmijët e saj, duke i pohuar se po kthehej në banesë, por në fakt një person i fshehur në shkuret e një përroi, dhe duke përfituar nga errësira e shiu i dendur i asaj nate, e ka qëlluar dy herë me pistoletë tip “Zastava”. Fillimisht u dyshua për një tentativë grabitje, por nga hetimet e kryera kanë rezultuar disa sms, të cilat i dhanë një tjetër drejtim ngjarjes. Per vrasjen e saj eshte ne burg Ilia Basho, bashkeshorti i cili dyshohet si organizator. 
(Intervista u botua sot ne gazeten Shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 13 Janar, 10:25

    Nisi regjistrimi, a do të marrë pjesë masivisht në zgjedhje diaspora?



×

Lajmi i fundit

Reshjet e dëborës, qarkullimi i mjeteve në rrugën e Kishës së Laçit kryhet me vështirësi

Reshjet e dëborës, qarkullimi i mjeteve në rrugën e Kishës së Laçit kryhet me vështirësi