Në një intervistë për gazetën Shqiptarja.com, Eljani u bën thirrje qytetarëve për mbjelljen e pemëve: “Për Pavarësinë, për Shqipërinë, me pemë dhe penë”. Megjithatë, ai shton se mbjellja e pemëve është kthyer në një sfidë personale “mbjell gjithmonë aq vite sa Pavarësia e Shqipërisë mbush në vjeç”. Kjo është edhe arsyeja pse aktiviteti i mbjelljeve të pemëve me emrin tuaj përkon afër ditëve të festave të nëntorit. Eljan Tanini tregon për Shqiptarja.com se pjesëmarrja e qytetarëve është e konsiderueshme, por ata me të cilët punon gjithmonë janë fëmijët.
“Nga publiku gjithmonë priten mirë nismat tona. Pjesëmarrja është e lartë. Ne punojmë gjithmonë me fëmijët. Është ai brez ku duhet të lërë gjurmë rrënja”, tha Tanini. Ndër të tjera, njeriu që të tërhiqte më shumë vëmendjen dje gjatë aktivitetit të mbjelljes së pemëve ishte Iliri. Iliri është i sapofejuar, i cili edhe pse me aftësi të kufizuara shkoi dhe mbolli një pemë ulliri për nusen e tij dhe një për veten.
Intervista e plotë:
-Eljan përshëndetje, për të kaluar direkt në temë.. E dimë që ekziston praktika e blerjes së një ylli, kështu që çdo njeri mund të ketë një yll me emrin që dëshiron. Por një pemë me emrin tënd..ç’është kjo ide? Si funksionon?
E bukur pyetja. Mbill Pemën Tënde është nismë vullnetare që ka si qëllim degëzimin dhe rrënjëzimin e shqiptarëve drejt pemëve. Të gjithë mund të bashkohen në nismat tona duke dhuruar nga një pemë ose me shumë. Mbjellja e 105 ullinjve për 105 Vjetorin e Pavarësisë, ka thirrjen e thjeshtë: Për Pavarësinë, për Shqipërinë, me pemë dhe penë. Unë e kam kthyer në sfidë personale, mbjell gjithmonë aq vite sa Pavarësia e Shqipërisë mbush në vjeç. Deri më sot vullnetarisht kemi mbjellur 11 mijë e 105 pemë në të gjithë Shqipërinë. Mos harro, ne i mbollëm pemët e ullirit në Rrugën Skënderbej, ose siç njihet ndryshe Rruga e Ambasadave. Po ka shumë, sepse ajo është ende një rrugë me kujdes të mirë dhe thuajse rezidenciale. Kam që në vitin 2013 që dua të mbjell pemë në atë rrugë. Ja më në fund u bë. Prandaj Falënderoj shumë ata që e përkrahën nismën: Qytetarët e Tiranës, EU POLICY HUB që u bashkua me ne, Bashkinë dhe DPN1 për lejen dhe punëtorët, Drejtorinë e Shërbimit të Trupit Diplomatik për hapësirën, Hemingway Tirana dhe Destil për vendin ku lamë kutitë e donacioneve, dhe vullnetarët tanë të Mbill Pemën Tënde
-Kjo nismë mban emrin tënd apo jo? Në çfarë etape jemi tani? Mund të përshkruash pak rrugën që ke arritur deri këtu?
Nisma u krijua te Hemingway Fan Club, ku prej vitit 2014 e "ndotëm" Tiranën aq sa mundëm me pemë e pemëza. Po, unë i kam vënë emrin kësaj nisme, dhe kam gisht në të bashkë me Blendi Sukaj aq sa gishtat e duarve dhe të këmbëve (qesh).
-Si u prit kjo nga masa, nga publiku? A ka ndryshuar pjesëmarrja Eljan, sot me atë të para 3 vitesh?
Hmm, pyetje e mirë shumë. Nga publiku gjithmonë priten mirë nismat tona. Pjesëmarrja është e lartë. Ne punojmë gjithmonë me fëmijët. Është ai brez ku duhet të lërë gjurmë rrënja.
-Eljan, ajo që më tërhoqi vëmendjen është posteri i “Mbill pemën tënde”, ku shqiponja është modeluar ndryshe. A mund ta shtjellosh idenë e posterit? Sa lidhen festat e nëntorit me pemët?
Unë zogun e shoh në këtë formë... Ajo u rimodelua gjelbëroshe sepse Shqipëria ka boll të zeza, madje boll të zeza i kemi bërë atij flamuri. Baza është po ajo, por theksi vihet te mjedisi. Sfondi i verdhë është mesdheu dhe dielli që ne e kemi me shumicë dhe e shfrytëzojmë me pakicë. Tashmë shqiponja është më e qetë sepse ka kapur ullinjtë me kokrra.
-Dhe së fundmi, sa kushton një pemë me emrin tënd?
Nga 400 lekë të reja e sipër. Varet nga kushtet e vendit ku mbillen, por edhe nga mundësitë e qytetarëve. Faleminderit të gjithë atyre që na japin kurajo për të vazhduar, madje edhe atyre që mbjellin pemë në shenjë kujtimi. Për Shqipërinë, me pemë dhe penë.
[gallery]24876[/gallery]
d.c./shqiptarja.com