Elma Doresi: “Karnavalet e Korçës”
brenda një molle të krimbu

Elma Doresi: “Karnavalet e Korçës” <br />brenda një molle të krimbu
Një mollë e madhe, e kuqe në mes të skenës. Brenda saj, Nikollaqi dhe Olimbia. Personazhe të cilët zbulohen pasi ngrihet bishti i mollës. Kjo është pamja e parë me të cilën ndeshet publiku në skenën "Shekspir" të Qendrës Kulturore "Tirana". Kësosoj u shënua mbrëmë premiera e "Karnavaleve të Korçës" në teatrin e Metropolit.
Komedia e Spiro Çomorës, rikthehet pas nëntë vjetësh në skenën e teatrit, por kësaj here me regji të Elma Doresit, e cila rrëfeu ngacmimin për të sjellë këtë vepër në skenë. "Duke qenë se ky është viti i 100 Vjetorit të Pavarësisë, në "Teatrim e Metropolit" u bë me dije se gjatë gjithë vitit do të punohej me vepra shqiptare. Kjo gjë solli shumë ngacmime tek unë si regjisore. Është hera e parë që punoj me një pjesë shqiptare si regjisore. Ndonëse kam lexuar shumë, njoh shumë dramaturgji, vendosa për Spiro Çomorën pasi jo më kot thuhet është një ndër kryeveprat e dramaturgjisë sonë. Aq më tepër më ngacmon në aspektin e imagjinatës dhe siç thuhet dramaturgji të mira i mbeten gjithmonë kohës, ashtu dhe vepra e Çomorës, pavarësisht se është shkruar në 1961 dhe ngjarjet zhvillohen në 1936 pjesa qëndron dhe është më se aktuale edhe sot". Elma, është përqendruar në këtë vepër pikërisht tek halli i familjes së Jorganxhinjve: të martojnë vajzën. "Duke i parë këto karaktere, këto situata, skenat se si zhvillohen ngjarjet, nxora dhe imazhin tim, krejt të ri, i cili është kjo molla e bukur nga jashtë, magjepsëse por e krimbur nga brenda" shprehet regjisorja Elma Doresi.
Te "Karnavalet e Korçës" ngjarjet zhvillohen në Korçë, në 1936 në familjen e Jorganxhinjve, një familje tregtarësh. Por rikthimit në skenën e teatrit, Doresi i ka sjell dhe shumë veçanti. "Si regjisore kam luajtur shumë me simbolikën, detajin dhe të shoqëruara në çdo kohë me groteskun. Ndonëse komedia është shumë realiste, ajo është trajtuar në simbole" shton më tej konceptin e saj, regjisorja. Megjithatë "molla" është hera e parë që shihet në skenën shqiptare. Simbol me të cilin regjisorja ka luajtur mjaft. Kjo mollë do të shformohet që nga fillimi i shfaqjes e deri në fund të saj. Nga një mollë e kuqe, rrezëllitëse nga jashtë, do të shformohet në gjithë orenditë e shtëpisë së Jorganxhinjve, si karrige, tavolinë...
"Dëshira ime e madhe ishte të largohesha 100 përqind nga vëniet në skenë apo ato që kemi parë deri më sot dhe kjo formë do të sjell frymë të re dhe energji, ndryshe. Personazhet e veprës kam vendosur t'i mbaj brenda kësaj molle, e cila dalëngadalë duke filluar shfaqja do të shformohet dhe do të sjell shtëpinë e Jorganxhinjve. Dhe po ashtu do të përfundojë, në fund të spektaklit duke i zënë brenda, tre personazhet tona kryesore, Nikollaq Jorganxhiun, Olimbinë dhe Afrovitin, për t'a afruar sa më shumë mesazhin tonë tek publiku" shton ajo. E njëjta gjë ndodh edhe në kostumografi, e cila është në stilin Molier, kostume të cilat dalëngadalë vijnë duke u deformuar deri në aktin final, gati gati në lakuriqësi. Por e njëjta gjë edhe me konceptimin e personazheve, me lojën e aktorëve, në sjelljen e karaktereve, që do të thotë: kemi parë ngjashmëri në strukturë, të këtyre karaktereve, në Comedia-Del Arte, të cilët kanë format e tyre të të ecurit, apo të të folurit, apo të vendosjes së maskave të karaktereve.
Ndryshe nga herët e tjera gjithë kasti i aktorëve që punojnë për këtë vepër janë personazhe të rinj, duke nisur që nga regjisorja Elma Doresi, e cila njihet për vënien në skenë të shfaqjeve "Let's have sex", "Gratë në parlament" etj, aktori Devis Muka që interpreton në rolin e Nikollaqit, Ina Gjonçi në rolin e Olimbisë, Marsela Lena që luan Afrovitin, Klodian Hoxha në rolin e Lonit, në rolin e Janit, Lorenc Kaja, Ditka nga Jonida Çunga dhe Aspasia nga Oriama Cama. "Karnavalet e Korçës", komedia e Çomorës ngjitet në skenë në drejtimin artistik të Suela Konjarit, pas premierës së mbrëmshme, ajo do të jepet në skenën "Shekspir" edhe në datat 3, 4, 9, 10, 11, 16, 17, 18, 23, 24, 25, 30, 31 mars sikurse edhe më 1, 6, 7, 8, 14, 15, 21, 22, 28, 29 prill, ora 19:00.

  • Sondazhi i ditës:

    Sa përcaktuese do jetë vota e emigrantëve në zgjedhjet e 2025-ës?



×

Lajmi i fundit

Rikthehet Festivali i Porto Palermos, 12 netë magjike në kalanë e ‘Ali Pashës’! Olen Cesari flet për Report Tv: Promovojmë Shqipërinë në botë

Rikthehet Festivali i Porto Palermos, 12 netë magjike në kalanë e ‘Ali Pashës’! Olen Cesari flet për Report Tv: Promovojmë Shqipërinë në botë