Elon Musk është kthyer në financuesin më të madh individual të deklaruar të zgjedhjeve të vitit 2026 në Shtetet e Bashkuara. Miliarderi më i pasur në botë ka dhuruar mbi 400 milionë dollarë deri në mesin e tetorit, duke mbështetur republikanët në përpjekjet e tyre për të ruajtur shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senat.
Sipas një analize të CNN, shuma e shpenzuar nga Musk ka tejkaluar ndjeshëm rreth 290 milionë dollarët që ai dha në zgjedhjet e vitit 2024 për të ndihmuar Donald Trump dhe republikanët.
Vetëm gjatë shtatorit, Musk dhuroi 158 milionë dollarë në dy këste për Senate Leadership Fund, një nga organizatat kryesore që financon kandidatët republikanë për Senatin. Sipas CNN, këto para duket se kaluan menjëherë te një tjetër organizatë, Texas PAC, e cila ka shpenzuar shuma të mëdha për të mbështetur republikanin Ken Paxton në garën kundër demokratit James Talarico.
Ky financim vjen vetëm pak muaj pasi Musk ishte përplasur publikisht me Trump dhe kishte folur për mundësinë e krijimit të një partie të re politike. Megjithatë, shpenzimet e tij të fundit tregojnë se miliarderi është rikthyer në mbështetje të republikanëve.
Deri në fillim të tetorit, sipas të dhënave të Komisionit Federal të Zgjedhjeve, gjatë ciklit zgjedhor të vitit 2026 ishin mbledhur mbi 16 miliardë dollarë. Pjesa më e madhe e këtyre parave nuk ka kaluar drejtpërdrejt përmes kandidatëve apo partive, por përmes organizatave që financojnë aktivitetet politike.
Republikanët kanë siguruar një avantazh të dukshëm në financimin e garave për Senatin. Organizata demokrate Senate Majority PAC ka mbledhur 354 milionë dollarë, një rekord për të, ndërsa organizata republikane Senate Leadership Fund ka siguruar mbi 540 milionë dollarë.
Ndërkohë, edhe organizatat e lidhura me Donald Trump kanë nisur të shpenzojnë dhjetëra milionë dollarë për kandidatët republikanë.
Vetë presidenti amerikan ka deklaruar se organizata e tij politike është në rrugën e duhur për të shpenzuar 400 milionë dollarë deri në ditën e zgjedhjeve, me synimin për të ndihmuar republikanët të ruajnë shumicën në Kongres.
Në shtator, organizata MAGA Inc. mblodhi 24 milionë dollarë, ku vetëm tre donatorë dhanë 18 milionë. Bëhet fjalë për biznesmenin e kazinove Steve Wynn, me 8 milionë dollarë, drejtuesin e Blackstone, Stephen Schwarzman, me 5 milionë dollarë, dhe miliarderen Diane Hendricks, gjithashtu me 5 milionë dollarë.
Nga ana tjetër, demokratët po mbështeten te financues të njohur si Michael Bloomberg dhe George Soros.
Ekipi i ish-kryebashkiakut të Nju Jorkut, Michael Bloomberg, ka njoftuar një financim prej 80 milionë dollarësh në prag të zgjedhjeve për të ndihmuar demokratët.
Ndërsa rrjeti politik i George Soros, që tashmë drejtohet nga djali i tij Alex, ka kanalizuar mbi 100 milionë dollarë në dy organizata politike, Democracy PAC dhe Democracy PAC II.
Megjithatë, sipas CNN, shpenzimet e këtyre donatorëve mbeten më të ulëta se financimet e mëdha që po shkojnë drejt republikanëve.
Një tjetër element që po shënon fushatën e këtij viti është përdorimi i inteligjencës artificiale në reklamat politike. CNN ka dokumentuar raste kur kandidatët janë paraqitur në situata komprometuese që nuk kanë ndodhur kurrë, përmes videove të krijuara me inteligjencë artificiale.
Megjithëse shifrat e deritanishme tregojnë për shpenzime rekord, panorama e plotë e financimeve pritet të bëhet më e qartë vetëm pas zgjedhjeve. Një pjesë e parave kalon përmes organizatave jofitimprurëse dhe kompanive guaskë, për të cilat ka kërkesa më të kufizuara për transparencë.
Sipas CNN, mund të duhen muaj apo edhe vite për të kuptuar plotësisht se sa para janë përdorur në këtë proces zgjedhor dhe nga kanë ardhur ato.



Komente
Komento