Elsa Ballauri: Prostitucioni
duhet legalizuar, na bën mirë

Elsa Ballauri: Prostitucioni<br />duhet  legalizuar, na bën mirë
TIRANE-  Në një intervistë për "Shqiptarja.com", drejtoresha e të drejtave të njeriut në Shqipëri shpjegon se duke mos qenë i legalizuar, por i zhvilluar në fshehtësi, ai mund të ndikojë për keq në moralin e një vendi.

"Ka ardhur koha që prostitucioni të legalizohet edhe në vendin tonë. Vetëm në këtë mënyrë, ai do të ishte mbrojtur, por njëkohësisht do të krijonte edhe një moral më të mirë për të gjithë shoqërinë, duke vendosur përpara përgjegjësisë, edhe klientët që e mbajnë gjallë këtë biznes."

Zonja Ballauri, këto ditë është ngritur një debat nga komisionieri për mbrojtjen nga diskriminimi, që ka propozuar heqjen e dënimit për ata që ushtrojnë prostitucionin. Ju e përkrahni këtë nismë?
Sigurisht, kjo është një nismë e kahershme në vendin tonë, por është mirë që kjo ka ardhur nga komisionari për mbrojtjen nga diskriminimi.

Gjatë ushtrimit të prostitucionit, duhet të dënohen edhe meshkujt që e përfitojnë dhe jo vetëm femrat?
Unë do të preferoja t'i quaja klientë, pasi prostitucion mund të ushtrojnë edhe meshkujt. Dënimi i klientëve, do të ishte një zgjidhje që në fakt, duhet të kishte ardhur kohë më parë. Kjo pasi ky biznes nuk mbahet në këmbë vetëm nga ata që e ushtrojnë, por mbahet në këmbë pikërisht nga klientët e tyre. Dhe këta nuk janë të pakta. Mjafton të shikosh statistikat e policisë për rastet e kapura për ushtrim prostitucioni, por sa raste të tilla nuk janë zbuluar?
Ne e kemi të ndaluar me ligj prostitucionin, por a ka prostitucion në vendin tonë?
Sigurisht që po! Madje duke qenë se është i ndaluar me ligj ai zhvillohet vend e pa vend, gjë e cila dëmton shumë moralin e shoqërisë. E them këtë sepse, duke qenë se nuk ka vende të përcaktuara me ligj se ku mund të zhvillohet, ai lulëzon vend e pa vend. Mund të ketë qendra prostitucioni afër shkollave dhe duke qenë afër një institucioni arsimor, ai dëmton vlerat e tij. Mund të jetë në një apartament, brenda në një pallat, por edhe në këtë rast dëmton moralin e banorëve që kanë shtëpitë aty. Ndërkohë që duke mos qenë i lejuar, ai është i pakontrolluar, i pasigurtë. Ata që ushtrojnë prostitucionin nuk ndiqen nga mjeku dhe mund të kenë sëmundje infektive. Madje unë do të thoja, që rrethet janë më keq në këtë drejtim, sepse Tirana as që diskutohet që ka prostitucion. Por në rrethe duket edhe sikur është legalizuar. Madje edhe po të pyesësh fëmijët, e dinë. Të thonë "Ata' i gjen në x vend. Dhe kjo është e dëmshme për ta.
A mendoni se ka ardhur koha që në vendin tonë të legalizohet prostitucioni?
Sigurisht që po. Kjo do të zgjidhte shumë probleme. Ata që ushtrojnë prostitucionin do të ishin të mbrojtur me ligj, do të kenë vendet e tyre ku e ushtrojnë, do të kontrollohen vazhdimisht nga mjekët, ndërkohë që vendos përpara përgjegjësisë ligjore edhe ata që e frekuentojnë këtë biznes. Siç të thashë ky biznes mbahet në këmbë nga klientët që në rastin, kur prostitucioni nuk është i legalizuar, nuk ndëshkohen për veprën penale që konsumojnë.

A janë gati shqiptarët për të legalizuar prostitucionin? Mos ndoshta nuk jemi shumë të hapur ndaj kësaj?
Sigurisht që ne nuk jemi një shoqëri e hapur, por unë them se Shqipëria është gati. Në fillim do të ketë debate, një pjesë e madhe edhe do ta kundërshtojnë, por me kalimin e kohës të gjithë do ta pranojë dhe do të kuptojnë se legalizimi i prostitucionit dhe vendosja e tij brenda një kuadri ligjor, i bën mirë moralit të të gjithëve.

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Euro e mbyll korrikun me vlerën më të ulët historike, këmbehet me 100 lekë

Euro e mbyll korrikun me vlerën më të ulët historike, këmbehet me 100 lekë