Elvira Diamanti:”Ju ftoj
në tryezën time bio”

Elvira Diamanti:”Ju ftoj<br />në tryezën time bio”
Kujt nuk ia ka ënda të shijojë shtëpinë e tij pas një jave me ritëm frenetik pune dhe aktivitetesh të ndryshme? Çastet e çlodhjes dhe të bashkimit familjar e shndërrojnë fundjavën në një kohë të këndshme, e cila bëhet akoma më e bukur edhe falë pranisë së miqve. Rreth tryezës, duke shijuar gatime të lloj-llojshme, miqësia bëhet akoma më “e shijshme” por sidomos intime. “Përgjithësisht njerëz të afërt apo miq të një rrethi të ngushtë nuk përtoj t’i kem të ftuar dhe të ndaj tavolinën me ta. E them këtë sepse një darkë në shtëpi me miq apo qoftë edhe një drekë për të diel është kënaqësi që nuk ta japin restorantet. Ndryshon puna për miq të largët apo për njerëz me të cilët nuk ndan shumë intimitet.” Fjalët janë të aktores Elvira Diamanti, një grua në karrierë, drejtuese e suksesshme e Arkivit të Filmit, por edhe njëra prej “Grave të lira”, programit televiziv të përjavshëm në Digitalb.

Ndonëse ditët e saj janë të ngarkuara raporti i Elvirës, me kuzhinën është mjaft i mirë. Gjatë javës ajo nuk përton të vërë një menu në derën e frigoriferit për të ekonomizuar në maksimum kohën. Ndërsa dy-tre lloje sallatash përgatiten që në fillim të javës, për të mos munguar gjatë ditëve në tryezë. E kur ia del mbanë në gatimet e përditshme, një drekë apo një darkë për miqtë më shumë se një detyrim apo përgjegjësi është një kohë e bukur që kalohet në kuzhinë. Elvira parapëlqen te ketë miq darkave sepse është një kohë më relaksuese dhe ka më shumë mundësi për t’u kushtuar vëmendje të gjithëve. Për zgjedhjen e menusë ajo kushtëzohet deri në mani, në prodhimet bio të stinës, pasi dëshiron që çdo ushqimi, t’i marrë shijen e vërtetë. “Besoj se në gatimet e mia jam shumë tradicionale. Dhe ky gatim të harxhon kohë. I lë gjithmonë këto lloj recetash për të shtunë e të diel. Fjala vjen, nëse dua të bëj të mbushura, ose tavë me imam bajalldi që janë shumë të pëlqyeshme në shtëpinë time por jo shumë të lehta për t’u gatuar”- thotë ajo.

Por për të ftuarit tryeza hapet me një recetë të trashëguar. “Ajo që më ka bërë përshtypje në fëmijërinë time në tavolinat që shtronte mamaja ka qenë supa e bardhë me lëng pule apo supa magjerice. Ajo i bënte të shkëlqyera dhe duke qenë se ishin një fillim i mbarë, i gjithë gatimi i mëpasshëm dukej i mrekullueshëm”- tregon për “Shqiptarja.com”, Elvira Diamanti-

“Nisur nga kjo, pra nga fakti që mamaja është gjithmonë “revista e parë e modës” unë nuk përtoj kurrë që si fillim të jetë gjithmonë njëra nga këto dy supa servirur me majdanoz të grirë sipër sepse i jep pjatës një freski që të hap oreksin”. Natyrisht që nuk janë të zeherosura me kripë, sic bënte enkas personazhi i saj në filmin “Përrallë nga e kaluara”, por janë supëra për të cilat miqtë nuk pushojnë së lëvduari.

Po cfarë vjen pas supës për miqtë? “Më pëlqen të kem si pjatë kryesore mish qingji ose gici, për faktin e thjeshtë se është një gjë që di ta gatuaj më mirë dhe shumë i kollajshëm për t’i shoqëruar me pure apo perime të ndryshme”. E në fakt perimet janë një nga dashuritë e Elvirës në kuzhinë. “Do të thoja se jam ‘makute’ në këtë drejtim dhe kur dal për pazar blej nga të gjitha llojet, dhe më ndodh që një pjesë të madhe nuk u bie rradha që të gatuhen”.
Tipike për tryezën e Diamantit janë me djathi dhe vera. “Pavarësisht nga menuja që do pasojë supën, nuk mungojnë kurrë në tavolinën time llojet e ndryshme të djathrave, sa më shumë aq më mirë, kuptohet. Më pëlqen të kem shumë lloje djathrash në tavolinë sepse zakonisht tek unë pihet verë dhe nëse rrezikoj të mos shkëlqej me pjatën kryesore të paktën miqtë do të kenë gjithmonë diçka për të shtyrë një gotë verë”.

Elvira preferon të gatuajë vetë çdo gjë sepse “më pëlqen t’i përkëdhel të ftuarit, me ushqime të gatuara nga unë dhe jo me gjëra gjysëm të gatshme.” Kur ka më shumë kohë ajo nuk përton të bëjë edhe byreçka apo një kulaç në vend të bukës për tryezën e miqve.

Tendenca e fundit në kuzhinën e saj janë sallatat, që janë bërë të shumta dhe më të larmishme nga dikur kur njiheshin edhe më pak asortimente. Tashmë për miqtë gatuhen sallata me finok, shegë, mollë, arra, apo edhe sallata çesar, e cila është më e lehtë dhe pa shumë naze. Por cila është sallata e saj më e preferuar edhe gjatë ditëve të javës? “Edhe për vete përdor vazhdimisht rukola dhe parmixhiano ose sallatën me karrotë të përzier me pak majonezë. Sallata me karrota përveç se është e shijshme duket shumë e bukur në tavolinë” tregon Elvira, e cila shton se karrota nuk mungon kurrë në kuzhinën e saj.
Po aq sa gatimit Elvira u jep rëndësi edhe shtrimit të tryezës. Mënyrave të reja ajo u shton kujdesin e nënës, si një kujtim i bukur, por edhe i vlefshëm. “Ajo që më pëlqente më shumë në ditët kur kishim miq dhe për të cilën e kam adhuruar mamanë time ishte fakti që ajo i jepte shumë rëndësi estetikës së tavolinës. Njëherë kur nuk gjeti mesa duket lule te tjera, vuri në tavolinë dy tufa me luledele të bardha të vëna thjesht në dy gota uji”- kujton Elvira.

Edhe ëmbëlsirat preferon që t’i bëjë vetë. I zgjedh kryesisht të lehta dhe të shpejta si tiramisu, ndërsa i pëlqen të gatuajë akullore te ndryshme të bërë në kushtet e shtëpisë. Por kush mendon se ky është fundi i një darke mes miqsh në shtëpinë e Elvira Diamantit, gabohet. Sepse pasdarka është një pjesë më vete.

Zakonisht me pelqen te kem miq darkave dhe per mua natyrisht qe pjesa me e bukur eshte mbasdarka {sidomos kur mar komplimenta per gatimin} sepse ajo është një vazhdim i natyrshëm me verë dhe sigurisht fruta të stinës.” -rrëfen Elvira, e cila beson se mikpritja nuk ka të bëjë me cilësinë e të gatuarit. Ajo është deshirë për tu ndjerë rehat me miqtë dhe për të biseduar duke ngrënë apo pirë një gotë verë, duke mos e kuptuar askush që ti në të vërtetë je lodhur disi, përndryshe ç’kuptim do të kishte?. ah/shqiptrja.com/

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Veliaj thirrje politikës: Mos u përfshini duke penguar çdo investim në Tiranë, zgjatimi i Lanës do transformojë qytetin

Veliaj thirrje politikës: Mos u përfshini duke penguar çdo investim në Tiranë, zgjatimi i Lanës do transformojë qytetin