Në një email të rezervuar, zyrtarë të Pentagonit hedhin si hipotezë përjashtimin e Spanjës nga NATO. Arsyeja? Qeveria e Madridit, e drejtuar nga Pedro Sánchez, ka qenë kundërshtarja më e bindur e luftës kundër Iranit, e nisur nga Donald Trump dhe Benjamin Netanyahu.
Lajmi, i publikuar nga agjencia Reuters, nuk ka befasuar komunitetin diplomatik në Bruksel, ku ndodhet selia e Aleancës Atlantike.
Në planin juridik, kërcënimi i Departamentit të Luftës, i drejtuar nga Pete Hegseth, nuk ka asnjë vlerë. Në 14 nenet e Traktatit të nënshkruar më 4 prill 1949 në Uashington nuk parashikohet asnjë procedurë për përjashtimin e një vendi anëtar.
NATO është një aleancë vullnetare dhe, nëse ndonjëherë ndodh, janë vetë shtetet që mund të vendosin të largohen, me një njoftim paraprak prej një viti. Për më tepër, edhe thelbi i akuzës amerikane nuk qëndron. NATO ka qëllime mbrojtëse dhe solidariteti ushtarak mes anëtarëve aktivizohet (neni 5) vetëm kur një partner sulmohet. Dhe sigurisht, nuk janë ajatollahët që kanë sulmuar SHBA-në.
Megjithatë, emaili rrit në maksimum tensionet mes 32 vendeve aleate, në prag të samitit të liderëve që pritet të jetë i nxehtë, më 6 dhe 7 korrik në Ankara, Turqi. Prej disa javësh tashmë, Trump po mendon për një lloj ndëshkimi ndaj europianëve. Këtë e kishte thënë hapur më 8 prill gjatë takimit me Mark Rutte në Shtëpinë e Bardhë.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s ishte përpjekur të zbusë zemërimin e “Donaldit”, duke premtuar se do të ngarkonte disa zyrtarë në Bruksel për të verifikuar çfarë lloj ndihme kishin dhënë vendet e veçanta për operacionet amerikane — mbështetje logjistike, përdorim bazash e kështu me radhë.
Por pasi u kthye në selinë qendrore, Rutte u përball ashpër nga shumica e ambasadorëve europianë. Pakënaqësia mbetet e përhapur, edhe pse me nuanca të ndryshme.
Në mbledhjet e fundit të Këshillit Atlantik, organi politik i NATO-s, shumë përfaqësues të 32 shteteve janë distancuar nga ndërhyrja amerikane në Iran. Më të vendosurit kanë qenë spanjollët dhe, për arsye të tjera, turqit.
Tani mbizotëron një klimë pritjeje, në prag të samitit të Ankarasë. Por kanë mbetur edhe dy muaj e gjysmë dhe përplasja mes dy brigjeve të Atlantikut mund të ashpërsohet edhe më tej.
Ndërkohë Kryeministri spanjoll Pedro Sánchez e minimizoi emailin e Pentagonit duke thënë se “s’ka asnjë shqetësim” dhe se Madridi po përmbush detyrimet ndaj aleancës.
“Pozicioni i qeverisë spanjolle është i qartë: bashkëpunim absolut me aleatët, por gjithmonë në kuadrin e ligjit ndërkombëtar”, shtoi ai para gazetarëve.
Sanchez theksoi se qeveria e tij “nuk komenton email-e, por dokumente zyrtare dhe qëndrime të marra nga Shtetet e Bashkuara”.CorrieredellaSera
Komente










Nato nuk eshte asgje tjeter vetem per ti pasuruar gjeneralet dhe arme prodhuesit Spanja doli e vetmja ne Evrope qe ja tregon te verteten Trapit shpresoj qe e gjith nato te cohet dhe ti thuan lamtumire Amerikes ku pa Evropen dote falimentojne Bravo Spanje.
PërgjigjuShume respekt per gjeopolitiken e Spanjes,si kontributore e pashantazhushme per paqen ne Bote.
Përgjigju