TIRANË - Avokati i Popullit Igli Totozani u akordoi pilotëve të bazës ajrore të hilikopterëve, simbolin e këtij institucioni, në shenjë mirënjohjeje dhe respekti për kontributin që ata kanë dhënë në përballimin me sukses të situatës së Emergjencave Civile në zona të ndryshme të vendit.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi garantoi se Forcat e Armatosura Shqiptare do të jenë gjithnjë pranë popullit, institucioneve shtetërore e lokale, në kryerjen e detyrave të tjera të ngjashme.
Totozani, u shpreh se, gjatë operacionit për përballimin e vështirësive të krijuara nga bllokimi nga dëbora të disa zonave në veri, verilindje dhe juglindje të vendit, në ditët e vështira të këtij viti u realizuan operacione ku u shpëtuan jetë njerëzore duke rrezikuar madje edhe jetët e tyre.

“Ka shumë njerëz në këtë vend që bëjnë vepra të mira për qytetarët e tij, por ju keni një veçanti të cilën unë prej kohësh e njoh: ju bëni të mirat duke heshtur, ju rrezikoni jetën tuaj në heshtje, ju tregoni një shembull të vërtetë trimërie, solidariteti me qytetarët e këtij vendi duke heshtur”, tha avokati i popullit.

Avokati i Popullit, Totozani i dorëzoi komandantit të Bazës Ajrore të Farkës, kolonel Frederik Beltoja emblemën e institucionit që ai drejton, me motivacionin: “Për kontribut të veçantë në mbrojtjen e të drejtave të njeriut”.

(aq/shqiptarja.com)