ATHINE- Çështja e ngritjes së një ministrie të Emigracionit, që sipas emigrantëve është premtuar edhe gjatë fushatës zgjedhore, do të jetë dhe shqetësimi kryesor i tyre, kjo për vetë problemet e shumta që kanë emigrantët në vendet e huaja kryesisht me vizat.

Në një intervistë për "Plus Gazeta Athina" me datë 15-2-2013, ka thënë: "Kemi premtuar ngritjen e një ministrie të veçantë për Emigracionin, ministri në të cilën do të punësohen elementë të spikatur prej emigracionit, si dhe një përfshirje të drejtpërdrejtë të emigrantëve në strukturat diplomatike të shtetit shqiptar, pra në ambasada dhe konsullata”, është shprehur Rama.

Ndërkohë që emigrantët socialistë në Greqi kanë ngritur edhe një sërë problematikash për të cilat qeveria duhet të tregojë vëmendje.

“Janë sa e sa raste gjyqesh për viza fallco, në momentin kur në Shqipëri nuk ka më sistem vizash. Janë sa e sa përzënie me vendim të gjykatave greke, për të cilat asnjë nuk flet, vendime që në të shumtën e rasteve merren pa patur parasysh të drejtat e emigrantëve dhe duke shkelur në shumë raste ligjet e shtetit grek. Mos erdhi vallë koha të flasim për këtë problem kaq të mprehtë që vazhdon të injorohet dhe të neglizhohet si nga pala shqiptare ashtu edhe nga ajo greke?”, shprehen ata.

Shkrimi u botua sot në gazetën “Shqiptarja.com” (print) 01.08.2013
 
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)