Sipas tij, Shqipëria nuk do të ngrejë mure se këtë e kërkojnë të tjerët. “Ne jemi një vend i vogël, krenar dhe nuk do të ndërtojmë mur se na e kërkojnë të tjerët”.
Rama shprehet se Evropa po vepron për ego kombëtare si të ishte federatë, duke shtuar se përballimi i krizës së emigrantëve ishte një “katastrofë”.
Kryeministri thotë se, Tirana nuk ka pikasur ende emigrantë që kalojnë përmes Shqipërisë, por vendi është i përgatitur për një gjë të tillë.
Por, ndërsa thotë se nuk do të ketë mur, nga ana tjetër, Rama shton se kufijtë nuk do të jenë as të hapur.
“Hapja e kufirit nuk e zgjidh problemin”, tha Rama. “Nuk do të luajmë ndonjë rol historik”.
Mendoni se është i mundur një fluks emigrantësh përmes Shqipërisë?
Teorikisht, po. Praktikisht është e vështirë. Nuk ka rrugë të lehta për të ardhur në Shqipëri dhe për të gjetur më pas një shteg për në Evropën e Veriut.
Si do të përgjigjeni nëse do të ketë fluks?
Nuk më pëlqen të flas me nëse. Por, sigurisht ne kemi bërë përgatitjen tona. Kapacitetet e vendit janë shumë modeste dhe nuk do të mjaftojnë për t’i bërë ballë një fluksi të konsiderueshëm. Ne jemi gati për t’iu bashkuar çdo përpjekjeje evropiane dhe ky ka qenë pozicioni ynë edhe kur Shqipëria nuk ishte as destinacion teorik.
Ju ka propozuar ndokush deri tani që të ngreni një mur?
Ne nuk punojmë në këtë mënyrë. Ne jemi një vend i vogël, krenar dhe nuk do të ndërtojmë mur (thjeshtë) sepse të tjerët na e kërkojnë. Ne gjithashtu e dimë se as hapja e kufijve nuk do ta zgjidhë problemin.
Ministri italian i Brendshëm dhe Komisioneri i BE-së për Emigracionin ka vizituar Shqipërinë së fundmi. Çfarë kërkuan nga ju?
Kemi punuar shumë ngushtë me italianët që në fillim. Kemi një pozicion të përbashkët: Ne nuk hapim kufijtë dhe nuk ngremë mure. Thjeshtë duam një zgjidhje evropiane. Sa kohë që Evropa sillet si federatë me ego kombëtare, shumë do të përpiqen t’ia lënë barrën pak vendeve. Kjo nuk do të funksionojë dhe ne nuk do të luajmë ndonjë rol heroik sepse ne e dimë që kjo nuk do të ishte zgjidhje.
A do të merrni në konsideratë që të merrni disa emigrantë për të lehtësuar situatën në Greqi?
Nuk mund të ndihmojmë asnjë (nga ana jonë) sepse nuk kemi mjetë që të lehtësojmë ndokënd. (Por) nëse Evropa ka një plan, ne do të luajmë rolin tonë dhe do të bëjmë çfarë të na kërkohet. Nëse do të ketë një plan për shpërndarjen ne jemi gati të marrim numrin tonë dhe të ndajmë peshën e përgjegjësisë.
Redaksia Online
Shqiptarja.com