Shakaja dhe talljet mes kolegësh i kanë kushtuar disa oficerëve policie në Britani. 6 efektivë janë pezulluar nga detyra për shkak të deklaratave të tyre raciste kundrejt emigrantëve shqiptarë për të cilët u shprehën se duhet të qëllohen pasi të hyjnë në Britani.

Oficerët e policisë e bënë deklaratën ndërsa krahasuan një koleg me ngjyrë me një qen, ku edhe u tallën me emigrantët shqiptarë.

Mediat e huaja raportojnë se ata do të hetohen për abuzim me detyrën pas një ankese e cila ka ardhur në formë anonime në një nga agjencitë e raportimit të abuzimeve.

Kjo ka detyruar autoritetet që të vendosin përgjues ndaj oficerëve për t'i zbuluar.

Oficerët talleshin me kolegun e tyre me ngjyrë Solomon Koranteng, duke e quajtur “qen të racës së përzier”, i thonin se “kishte ardhur me arkë nga Afrika” apo se duhej çuar “në kopshtin zoologjik të Londrës”.

3 nga oficerët e njësisë ishin regjistruar duke thënë se “emigrantët shqiptarë duhet qëlluar me armë” që të mos hyjnë në Angli, apo duheshin vrarë me “agjent nervor”.