Emiljano Muharem:Korça është
shembulli si qeveris Edi Rama

Emiljano Muharem:Korça është<br />shembulli si qeveris Edi Rama
Korça nuk ka marrë asnjë investim më shumë se sa ato që ka merituar. Këtë qëndrim mban kryetari i PS-së në këtë bashki, Emiljano Muharem, i cili në një intervistë për “Shqiptarja.com” flet gjithashtu për të gjithë punën organizative të Partisë Socialiste në Korçë. I pyetur nëse reformat e qeverisë mund të sjellin kosto elektorale, Muharem thotë se kjo është e para qeveri që e ka ndarë qeverisjen nga përllogaritjet me qëllime elektorale.

Ju jeni zgjedhur kryetar i PS-së për një bashki me peshë specifike, si ajo e Korçës. Menjëherë pas kësaj, ju janë dhënë disa detyra nga selia qendrore e PS-së për riorganizimin zgjedhor. Mes tyre është dhe rifreskimi i kartave të anëtarësisë. Si po ecën ky proces në Korçë dhe sa po shkon anëtarësia e rifreskuar atje?
Të drejtosh degën e Partisë Socialiste në Korçë është një përgjegjësi dhe një sfidë e përditshme pasi  kjo forcë politike në këtë bashki vjen pas disa fitoresh rresht në zgjedhjet lokale dhe qendrore. Synimi im  është të  vazhdoj në po të njëjtën rrugë, drejt fitores së radhës. Prej një viti Partia Socialiste ka hyrë  në një proces riorganizimi që në qelizën bazë e cila është  Organizata Socialiste  dhe deri tek strukturat drejtuese dhe organizative. Me këtë  riorganizim  kryetarët e degëve por dhe stafi mbështetës  janë funksionarë me kohë të  plotë. Qëllimi  kryesor  ka qenë evidentimi i anëtarësisë aktuale shtimi i radhëve me anëtarë të rinj duke qenë prezent në çdo pallat, rrugë, lagje, njësi administrative të bashkisë, duke u përshtatur me ndarjen e re territoriale. Po krijohet një database me të gjitha të thënat e sakta të çdo anëtari dhe njëkohësisht ka filluar shpërndarja e kartave të anëtarësisë në çdo Organizatë Socialiste. Puna po vazhdon me një ritëm të kënaqshëm. Përsa i përket rifreskimit, ju them me kënaqësi se çdo ditë pranë Selisë së Partisë Socialiste  bëhen anëtarësime të reja. Pjesa më e madhe janë  të rinj e të reja, por ka nga të gjitha grupmoshat.

Një prej problemeve të hershme që PS ka pasur, ka qenë vetëm mbledhja e kuotave të anëtarësisë. A po i mblidhni dot paratë e anëtarëve sikundërse statuti ju përcakton?
Në zbatim të statutit të Partisë Socialiste  çdo anëtar ka detyrimin të paguajë një kuotë, vlera e së cilës, për çdo kategori, është e përcaktuar  me Vendim të Asamblesë Kombëtare.  Është bërë njohja e anëtarësisë me Vendimin e fundit të Asamblesë Kombëtare dhe ka filluar puna për mbledhjen e kuotave. Me qëllim institucionalizimin dhe standardizimin e degëve të Partisë Socialiste është zgjedhur një financier i cili është personi përgjegjës për administrimin e kuotave por dhe për mirëmenaxhimin dhe transparencën e përdorimit të tyre. Ky proces deri në këto moment po vazhdon normalisht.

Kryesia e PS-së ju ka kërkuar hapjen e partisë, sidomos ndaj intelektualëve dhe njerëzve me peshë në komunitet. Pse sot një person i tillë duhet të vijë në PS?
Partia Socialiste është Partia më e madhe në vend, është një forcë sociale dhe politike e cila i ka pasur,  i ka dhe do ti ketë gjithmonë hapur dyert për këdo që ndan të njëjtat vlera me ne. Viti që po mbyllim, vit i cili përkoi edhe me 25 vjetorin e PS, është një moment i veçantë për Partinë Socialiste, ishte një periudhë reflektimi e cila u shoqërua veç të tjerash, edhe me modernizimin, rifreskimin e strukturave të Partisë dhe një hapje akoma më të madhe drejt të rinjve, grave dhe intelektualëve. Sot një intelektual ka shumë mënyra për ti shërbyer komunitetit dhe për tu bërë faktor për përmirësimin e jetës komunitare në ambientin ku jeton, por besoj, se Partia Socialiste është mënyra më e shkurtër, dhe efikase për ti dhënë zë më të fortë sesa zëri i një individi, çdo nismë dhe përpjekje në të mirë të komunitetit. Partia Socialiste sot, ka bërë një thyerje të madhe. Është qeveria e parë që ka ndarë logjikën e qeverisjes me logjiken elektorale të partisë. Shumë nga reformat, sidomos sot, kur akoma nuk kanë dhënë frytet e pritura, edhe për shkak të kohës së shkurtër që kanë kaluar ngjallin sadopak pakënaqësi. Intelektualët janë pikërisht të nevojshëm në këtë moment të rëndësishëm, vendi ka nevojë për një zë të përgjegjshëm që vjen nga dyert e partive për të mos e parë me realitetin, me cinizmin dhe ngushtësinë elektorale, me e rëndësishme është të bëjmë gjëra të mira sesa të qëndrojmë në karrige.
 
Cilët janë objektivët elektoralë për zgjedhjet e vitit 2017?
Për vitin 2017 objektivat janë të qarta. Maksimizimi i votave për Partinë Socialiste e cila përkthehet me një përfaqësi më të madhe në Kuvendin e Shqipërisë. Ashtu siç e kam përmendur edhe më lart, Partia Socialiste vjen me disa fitore radhazi, fitore të cilat gjithmonë shënonin një diferencë të madhe votash ndaj kundërshtarëve. Këto fitore kryesisht kanë qenë kur kjo parti ishte në opozitë dhe normalisht vështirësitë kanë qenë të mëdha, ndërsa sot si një parti në pozitë ka më shumë mundësi për të treguar ndryshimin e madh që ka bërë, për të ngritur zërin për të gjitha reformat e rëndësishme që kanë filluar.
 
A është “përkëdhelur” Korça financiarisht prej influencës së zëvendës kryeministrit Niko Peleshi?
Korça është padyshim qyteti me i bukur në Shqipëri, ndihem krenar dhe i nderuar që jam kryetari i Partisë Socialiste pikërisht në këtë bashki. Në Korçë, ashtu si edhe në shumë qytete të tjera, efekti i 3 viteve qeverisje ndihet shumë, mund të themi se është modeli se si di të qeverisë Partia Socialiste. Duhet të mos harrojmë, që Korça nën drejtimin e Niko Peleshit si kryetar bashkie këtë rrugë e ka nisur vite më parë edhe pse pa mbështetjen e qeverisë së atëhershme. Me një vizion të qartë zhvillimi, me një sërë projektesh shumë cilësorë në pritje të financimit, siç ka qenë Pazari i Vjetër, parku i qytetit, qyteti i fëmijëve, Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar, të cilat arritën të finalizoheshin vetëm me mbështetjen e qeverisë “Rama”. Kjo është një dukuri që shihet në të gjitha qytetet shqiptare. Para disa ditësh isha në një vizitë në Shkodër dhe atje pashë  investime të rëndësishme si Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi”, Stadiumi madhështor i futbollit, etj. që vërtet ishin të jashtëzakonshme, dhe këto ishin realizuar falë impenjimit dhe financimit të qeverisë Rama. Unë njoh shumë mirë pasionin që Niko Peleshi ka për Korçën, por njoh edhe profesionalizmin qe ka ai njeri dhe në asnjë moment nuk mendoj se Korça është “përkëdhelur” përtej asaj që meriton. Mendoj se këtu në Korçë gjërat kanë duk pak më shumë. Dhe për ta mbyllur më lejoni të theksoj se është fakt që Korça është një hap  përpara qyteteve të tjera në Shqipëri, kjo nuk është “përkëdheli”, por ndoshta është një “zili” për të qenë si ajo.
 
Qeveria ka bërë disa reforma të forta për të cilat e ka pranuar se mund të ketë kosto elektorale. Cila prej reformave mendoni se mund t’u sjellë vota më pak?

E kam  thënë edhe më sipër, më në fund në Shqipëri kemi një qeveri që nuk  mendon elektoralisht, kemi një qeveri që bën atë që duhet për qytetarët dhe jo atë që i duhet partisë. Pa dyshim që disa qejfmbetje sidomos në fillim mund të këtë ngjallur reforma në energjinë elektrike, reformë e cila tani ka hyrë në një fazë pjekurie dhe jam i bindur, të gjithë e kanë kuptuar rëndësinë dhe të mirat që ajo ka sjellë. Sot shikojmë të rinj që ndoshta me të drejtë ndoshta me të padrejtë janë pak të mërzitur me reformën në arsim, është normale, parë me sytë e tyre sot realisht shkollat janë më të vështira, por ama janë edhe më cilësore, duhet të mos harrojmë dhjetëra e dhjetëra shkolla që janë mbyllur pikërisht sepse ato diploma që sot merren me aq shumë mund, deri dje bliheshin.

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com

 
 

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë