Presidenti francez Emmanuel Macron përballet këtë javë me një nga sfidat e fundit të mëdha diplomatike të presidencës së tij. Si mikpritës i samitit të G7 në qytetin francez Évian-les-Bains, ai ka një objektiv që diplomatët europianë e konsiderojnë më të rëndësishëm se çdo marrëveshje konkrete: të mbajë Donald Trump të angazhuar në samit dhe të shmangë largimin e tij të parakohshëm.

Sipas Politico, pritshmëritë për samitin janë tashmë të ulëta. Në vend të komunikatës së përbashkët tradicionale që zakonisht miratohet nga ekonomitë më të mëdha të botës, organizatorët po planifikojnë deklarata të veçanta për tema të ndryshme, ndërsa Macron do të publikojë përmbledhje të diskutimeve për çështjet gjeopolitike.

Shqetësimet në Paris lidhen me faktin se Trump mund të mos e konsiderojë samitin një prioritet. Macron madje ka ndryshuar datat e takimit për t’iu përshtatur axhendës së presidentit amerikan, i cili festoi ditëlindjen e tij me një event sportiv të arteve marciale në Shtëpinë e Bardhë.

Sipas pesë zyrtarëve francezë dhe diplomatëve europianë të cituar nga Politico, objektivi nuk është arritja e marrëveshjeve të mëdha, por ruajtja e dialogut me Trump për luftën në Ukrainë dhe krizën energjetike të lidhur me konfliktin mes Izraelit dhe Iranit.

“Do të jetë sukses nëse bëhet fotoja familjare”, tha një diplomat europian për Politico, duke iu referuar fotografisë tradicionale të liderëve të G7. Një ish-zyrtar francez u shpreh edhe më skeptik.

“Është një vend ku do të flasin, por nuk jam i sigurt se do të dalë ndonjë gjë prej tij”, tha ai.

Sipas Politico, kjo do ta detyrojë Macron të përdorë edhe një herë aftësinë e tij për të menaxhuar marrëdhëniet me Trump. Samiti konsiderohet një nga rastet e fundit kur presidenti francez do të ketë mundësinë të luajë rolin e organizatorit kryesor në diplomacinë ndërkombëtare, ndërsa Franca po afrohet me zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm.

Përpara nisjes së samitit, Macron deklaroi se diskutimet do të fokusohen te mineralet strategjike, inteligjenca artificiale, energjia, mbrojtja e fëmijëve në internet dhe tregtia.

“Tensionet tregtare janë të këqija për rritjen ekonomike. Ne besojmë te tregtia e lirë e bazuar në rregulla që sjell përfitime për të gjithë”, tha ai gjatë një daljeje me kryeministrin kanadez Mark Carney.

Megjithatë, sipas diplomatëve europianë, problemi më i madh mbetet fakti se liderët europianë nuk kanë qenë prej kohësh në një pozicion kaq të dobët politik.

Macron po i afrohet fundit të mandatit të tij, ndërsa kryeministri britanik Keir Starmer përballet me vështirësi politike në vend. Marrëdhëniet dikur të mira të Trump me kancelarin gjerman Friedrich Merz dhe kryeministren italiane Giorgia Meloni gjithashtu janë ftohur muajt e fundit.

“Pavarësisht të gjitha përpjekjeve të presidencës franceze, formati i G7 ka humbur një pjesë të madhe të rëndësisë së tij”, tha një zyrtar i Bashkimit Europian.

Një tjetër problem, sipas artikullit, është paparashikueshmëria e Trump.

“Ai do të thotë diçka dhe të nesërmen do të ndryshojë mendim. Nuk është në gjendje të thotë diçka dhe t’i qëndrojë asaj”, tha ish-zyrtari francez.

Ndërkohë, për Trump, samiti ofron një mundësi për të treguar ndikimin e tij ndërkombëtar.

“Është një demonstrim force, tregon se ai është mik me gjashtë ekonomitë më të mëdha në botë. Dhe është një mundësi për të treguar se shefi është ai, jo Macron”, tha një diplomat europian.

Për të ruajtur marrëdhëniet me presidentin amerikan, Macron ka organizuar edhe një darkë në Pallatin e Versajës pas përfundimit të samitit, në kuadër të aktiviteteve për 250-vjetorin e pavarësisë së SHBA-së.

Zyrtarët francezë thonë se dy liderët komunikojnë rregullisht në telefon, gjë që konsiderohet një përmirësim pas tensioneve të muajve të fundit. Marrëdhënia e tyre kishte pësuar goditje në shkurt, kur Trump publikoi një mesazh privat të Macron para Forumit Ekonomik Botëror në Davos.

“Pavarësisht përplasjeve të herëpashershme para kamerave, marrëdhënia duket mjaft e mirë”, tha një diplomat europian.

Megjithatë, lufta në Ukrainë dhe konflikti mes Izraelit dhe Iranit pritet të dominojnë samitin. Sipas zyrtarëve francezë, shqetësimi kryesor është situata në Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme për transportin global të naftës. Përshkallëzimi i konfliktit ka rritur shqetësimet për çmimet e energjisë dhe karburanteve.

Për këtë arsye, në samit pritet të marrin pjesë edhe emiri i Katarit Tamim bin Hamad Al Thani dhe presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe Mohamed bin Zayed Al Nahyan.

“Nuk mund të luajmë vetëm një rol simbolik. Duhet të ndikojmë në situatën në Ngushticën e Hormuzit. Por tani për tani vendimet po merren pa ne, ashtu siç po ndodh edhe në Ukrainë”, tha një diplomat europian.

Europianët po promovojnë gjithashtu një mision detar ndërkombëtar për sigurinë në Ngushticën e Hormuzit pas përfundimit të luftimeve. Kur bëhet fjalë për Ukrainën, Macron synon t’i tregojë Trump se Europa po mban një barrë gjithnjë e më të madhe financiare dhe ushtarake.

“Europianët paguajnë pothuajse 100 për qind të ndihmës për Ukrainën. Është e rëndësishme që partnerët e tjerë të G7, veçanërisht Shtetet e Bashkuara, të paktën të mos e përkeqësojnë pozicionin e tyre ndaj Ukrainës”, tha një zyrtar i presidencës franceze.

Pas diskutimeve fillestare për ta lënë jashtë samitit, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky pritet të marrë pjesë në një sesion të posaçëm të martën. Sipas diplomatëve europianë, ideja është të bindet Trump se Ukraina është në një pozicion më të fortë se më parë.

“Trump i pëlqen fituesit”, tha një diplomat europian. Ai përmendi huanë prej 90 miliardë eurosh nga Bashkimi Europian për Kievin, vështirësitë e ushtrisë ruse në vijën e frontit dhe bashkëpunimin në mbrojtje mes Ukrainës dhe vendeve të Gjirit.

Megjithatë, sipas Politico, e gjithë strategjia europiane varet nga një faktor i vetëm: që Donald Trump të jetë i pranishëm në sallë deri në fund të samitit. “Duhet të gëzohemi edhe për kaq, sepse është minimumi i mundshëm”, tha ish-zyrtari francez.

“Në të kundërt, G7 do të ishte vërtet i vdekur" shtoi ai.