Ashtu siç pritej, Prokuroria e Përgjithshme është përfshirë ditën e sotme nga një sërë ndryshimesh, menjëherë pas miratimit të strukturës së re të kryeprokurores Arta Marku. Report Tv ka zbardhur emrat e rinj të drejtorëve në katër Drejtoritë që do të ketë Prokurorina e Përgjithshme me strukturën e re.

Kështu, Sokol Stojani është emëruar drejtor i Isnpektimit, pas shkrirjes nga Marku të Drejtorisë së Hetimit. Stojani ka qenë drejtor hetimi në kohën e Ina Ramës. Ndërkohë, drejtorët e tjerë do të jenë në po të njëjtat pozicione.

Përkatësisht Adnad Xholi te Drejtoria Gjyqësore, Thoma Jano te Përgjimet dhe Arqile Koça te Marrëdhëniet me Jashtë. Gjithashtu, lëvizjet janë shtrirë dhe në radhët e ekspertëve, ku burime të Report Tv sqaruan se janë larguar nga detyra 4-5 ekspertë (kontabël, financiar dhe IT). Në kuadër të "ristrukturimit" të organit të Akuzës, është larguar nga detyra dhe Greta Dangu, ekspertja kontabël që ekspertoi pasurinë e ish-deputetit Mark Frroku.

Pak më parë, Report Tv zbardhi dhe strukturën e re të miratuar nga kryeprokurorja Arta Marku, e cila do të përbëhet nga katër drejtori të rëndësishme. Ndërkohë, Report Tv mësoi se do të shkrihet Drejtoria e Hetimit, pasi me ligjin e ri prokurorët janë të pavarur në procesin e hetimit dhe vendimmarrjen e tyre e vlerëson gjykata.

Drejtoritë që do të përbëjnë strukturën e re të Arta Markut në Prokurorinë e Përgjithshme dhe drejtorët përkatës për secilin institucion:

Drejtoria Gjyqësore - Adnan Xholi
Drejtoria e Telekomunikacionit dhe Përgjimeve - Thoma Jano
Drejtoria e Marrëdhënieve me jashtë, Dekriminalizmit, Mbrojtjes së Dëshmitarëve - Arqile Koça
Drejtoria e Inspektimit - Sokol Stojani

prokuroret
Adnan Xholi, Thoma Jano, Arqile Koça, Sokol Stojani

Report tv mësoi se mbrëmë në Prokurori është zhvilluar një mbledhje orët e vona dhe është finalizuar me vendimin për miratimin e strukturës së re të kryeprokurores Arta Marku në Prokurorinë e Përgjithshme.

Ndërkohë, mësohet se me ndryshimet e reja hiqen komandimet, gjë që pritet të pasohet më një sërë ndryshimesh sa i përket drejtuesve të prokurorive në Tiranë e rrethe. Tashmë pritet të zbardhet edhe numri i prokurorëve që janë të komanduar në Prokurori, pasi kjo ka qenë edhe një nga pikat kryesore të platformës së Arta Markut.

drejtoret

d.c./shqiptarja.com